
Nga Brunilda Gorovelli
Luar Arani, apo siç të gjithë ne e njohim LUAR, ka patur një vit plot emocione, dashuri dhe fillime të reja. Një vit i cili padiskutim ka shënjuar te jeta e saj, sidomos në dimensionin familjar. Një ceremoni magjike dashurie buzë detit në Qeparo, lajmi i ëmbël për ardhjen e një jete të re, është gjithçka që 2025-a kishte rezervuar për Luarin. Në këtë intervistë për “Bordo”, ajo rrëfen emocionet e ditës së dasmës, lidhjen shpirtërore me jugun e Shqipërisë, momentet që përlotën, përgatitjet pas çdo detaji, por edhe balancën mes dy pasioneve të mëdha të jetës së saj, muzikës dhe financës.

Luar, viti 2025 mund të konsiderohet si viti më i bukur i jetës tënde? Edhe ceremonia e bukur , edhe lajmi për një bebe…
Po, absolutisht një nga vitet më të mbushura me shumë dashuri, emocione, gëzim dhe surpriza në një hark kohor shumë të shkurtër. Ndihem mirënjohëse për gjithçka që pata mundësinë të përjetoj sivjet.
Pse vendosët të celebroheshit në jug të Shqipërisë, saktësisht në Qeparo?
Përveçse vetë Qeparoja ka një magji të vetën, është një vend që të qetëson, të frymëzon dhe të kujton sa e bukur është Shqipëria. Ne kishim një lidhje shpirtërore me “Stone Beach Residence”. Që herën e parë që shkelëm aty, u ndjemë shumë në paqe, dhe pak a shumë e vendosëm që aty do të ishte vendi i duhur për të festuar dashurinë tonë, edhe pse nuk po kërkonim një vend për këtë rast gjatë asaj jave pushimesh.
Gjithë dasma ishte emocionuese, por nga sa ke publikuar në Instagram, momenti kulminant ishte kërcimi me babain dhe përlotja e të dy prindërve…
Për mua personalisht kishte disa momente që i kam shumë të vështira t’i ndaj nga njëra-tjetra. Prindërit e mi u përlotën që në momentin kur më panë për herë të parë të veshur me fustan të bardhë, dhe për pak më lanë pa dalë në altar nga emocionet. Prania e gjyshes sime, e cila më dha unazën, motra ime në altar, gjithë njerëzit e mbledhur, të gjitha këto më emocionuan pafund. Kërcimi me babin, padyshim, do të mbetet i paharruar për mua. U ndjeva përsëri shumë e vogël dhe mu rikujtua se për prindërit, ne do të mbetemi gjithmonë të vegjlit e tyre.

Si e konceptove organizimin dhe fotot e realizuara për festën tuaj?
Desha që gjithçka të ishte sa më natyrale dhe e sinqertë, me detaje të mirë-menduara, por pa pompozitet të tepruar, vetëm dritë, det, muzikë dhe njerëz që duam. Fotot u menduan si kujtime të gjalla, jo si imazhe të perfeksionuara. Doja të ndihej energjia e dashurisë, jo e formës. Bashkëpunova me mikun tim, Henri Koci për fotot, i cili gjithmonë e kupton vizionin tim, dhe me mikeshën time, Klesten të Klestdecor, e cila u mundua pafund të sillte në jetë vizionin që kisha për atë ditë.
Për sa kohë punove për përgatitjet?
Kisha përreth 21 nënndarje për love party në pinterest, dhe 10 foldera të tjera në Instagram, për çdo hallkë që doja të kisha pjesë të asaj dite. Disa gjëra dhe i kisha skicuar. Kjo e bëri më të lehtë që kur takohesha me bashkëpunëtorët t’i vinim gjërat në vijë më lehtë, pasi e kisha shumë të qartë çdo detaj. Megjithatë mori disa muaj kohë deri në finalizimin e gjërave.


A kishte një propozim përpara vendimit për këtë festim dashurie?
Po, propozimi është gjëja e parë që kam bërë publike në jetën time sa i përket jetës personale. Ndodhi në Sicili, në ishullin Lipari, në një varkë pranë Shpellës së Engjëjve, përballë një mali vullkanik, “Vulcano”.
Të ndalemi te Luari që publiku njeh, Luari në muzikë. A ke ndonjë projekt gjatë vitit 2026?
Unë gjithmonë e gjej veten duke kompozuar. Kam materiale të panumërta në telefonin tim, si dhe materiale të shumta në studio të ndryshme. Por varet nga shumë faktorë të ndryshëm se kur këto materiale do të dalin ekzaktësisht. Për shkak të surprizave të bukura të këtij viti, materialet e vitit 2025 do të shtyhen për vitin 2026.
Pra, nuk ka ndonjë projekt muzikor gjatë festave?
Jo për këtë vit. Për shkak të projekteve të vitit 2025 që do të shtyhen për vitin 2026, nuk kam planifikuar publikime gjatë festave. Por, jam duke punuar që të sjell projekte të reja dhe speciale gjatë vitit të ardhshëm.
Nga njëra anë pasioni për muzikën e pianon, nga ana tjetër puna me shifra e financa, si gjendesh mes të dyjave?
Janë si dy botë që më kompletojnë. Muzika më ushqen shpirtin dhe më jep frymëzim, ndërsa financat më japin strukturë dhe qetësi. Njëra më mëson ndjesinë, tjetra ekuilibrin. Menaxhimi dhe e gjithë bota financiare ka gjithsesi shumë të bëjë edhe me anën menaxheriale të muzikës, si dhe disiplina që ka sjellë pianoja që në vegjëli, ka kontribuar shumë në strukturën dhe disiplinën për të arritur ekuilibrin në anën tjetër të asaj që unë gjithashtu ushtroj.

Për të gjithë ne mbetesh Luar i këngës “Gjithmonë”. A do të kemi një hit të dytë po aq të veçantë sa i pari?
“Gjithmonë” do të mbetet gjithmonë një pjesë shumë e veçantë për mua, me një impakt të madh gjatë karrierës sime. Jam e lumtur që arrita të kem një single kaq të veçantë, që mbahet mend për kaq gjatë, pasi mund të kisha nxjerrë pafund projekte dhe asgjë të mos mbetej pas. A do të ketë “hite” të tjera? Vetë fjala është relative, pasi është publiku që vendos se çfarë vlerësohet prej tyre. Mbase për shumë veta ka patur hite të tjera nga repertori im, ndërsa disa projekte janë ende në pritje për këngët e reja.
A e mendoni kthimin në Shqipëri? Pse po dhe pse jo?
Zemra ime do të jetë gjithmonë e ndarë në dy pjesë. Kam fatin që arrita të mos e kem më të vështirë të jem e pranishme si në Shqipëri, ashtu edhe në Gjermani, pa krijuar një boshllëk gjigant kohor. Sa më shumë kalon koha, aq më pak e vështirë bëhet të vizitoj Shqipërinë dhe të afërmit e mi, dhe nuk është më e nevojshme që jeta të ndahet “me thikë” nga një vend në tjetrin.
Këndon ndonjëherë gjatë qëndrimit në shtëpi?
Po këndoj dhe i bie pianos pothuajse për ditë.
Ku do t’ju gjejnë këto festa?
Si rrallë ndonjëherë këto festa besoj se do të më gjejnë në Berlin. Megjithatë, si gjithmonë në praninë e familjes sime.


Vini shpesh në Shqipëri?
Po, përpiqem të vij sa më shpesh të mundem. Familja, miqësia, deti, studio, ushqimet e bëjnë të pamundur që të rri për një kohë të gjatë larg.
Si i feston zakonisht festat e fundvitit?
Me familjen dhe njerëzit e zemrës, në cilindo shtet që të vendosim ta festojmë. Megjithatë më duhet të them që e shijoj shumë në Shqipëri. Deri në 12 jam gjithmonë me familjen dhe më pas mblidhem me miqtë e mi.
Cili është kujtimi yt më i bukur nga Krishtlindjet apo Viti i Ri?
Vitin e saktë nuk e mbaj mend, por e di qe kam qenë mbase 10 vjeçe. Dhe s’do ta harroj kurrë mamin dhe babin që vijnë me një kuti të kuqe të madhe (paçka mundësive që ato mund të kishin në atë kohë), e cila kishte 100 lodra të vogla të ndryshme. Di që mezor na zuri gjumi mua dhe motrën nga gëzimi dhe në fund fare, mua më zuri gjumi brenda në kuti pasi kisha luajtur pa fund.
Çfarë nuk mungon kurrë në tryezën tënde të festave?
Gjeli me kulaç, gjithmonë i gatuar nga gjyshja ime Natasha dhe salsiçet Arani.
Si është atmosfera festive në Berlin krahasuar me Shqipërinë?
Në Berlin tregjet e krishtlindjeve janë shumë të ndriçuara dhe magjike. Por për mendimin tim festat i bëjnë njerëzit dhe unë mund ta shijoj plotësisht vetëm aty ku mami ka bërë pemën dhe gjithë dekorimet e saj magjike, me qenushin, i cili qëndron tek oxhaku dhe ushqimin e gatuar nga gjyshja ime. Në Gjermani nuk e kanë për traditë të gatuajnë me aq bollëk si në Shqipëri
A dëgjon ndonjë këngë të veçantë çdo fundvit?
Jo se s’bën, ajo që dëgjoj varet dhe nga risitë muzikore që dalin çdo vit.
Cili është momenti më i paharrueshëm që ke përjetuar në ndonjë koncert apo event festiv?
Një koncert ku njerëzit këndonin bashkë me mua pa asnjë instrument, vetëm me zërat e tyre. Ajo energji, ajo ndjesi e bashkësisë, është arsyeja pse e dua kaq shumë muzikën.
A ke ndonjë këngë të preferuar festive ndërkombëtare apo shqiptare?
“It’s the most wonderful time of the year” nga Andy Williams.
Çfarë ke mësuar nga viti që po lëmë pas?
Vazhdoj të përforcoj idenë që shëndeti është mbi të gjitha. Vazhdoj të kuptoj rëndësinë e familjes si dhe miqve të mirë, të cilët janë aty gjatë gjithë metamorfozës që unë kaloj gjatë jetës sime. Mësova që është bukur të vazhdosh të festosh momente kyçe të jetës, pasi jeta është e shkurtër dhe kujtimet janë një gjë shumë e veçantë. Kam kuptuar që lumturia qëndron dhe në qetësi, dhe jo vetëm në zhurmë.
Çfarë dëshiron për Vitin e Ri, si në aspektin personal, ashtu edhe profesional?
Në aspektin personal, dua paqe, shëndet dhe një fillim të butë për kapitujt e ri që po vijnë në jetën time. Profesionalisht, dua të kthehem me muzikë që frymëzon dhe prek zemrat, sepse aty ndodhet kuptimi i vërtetë i artit.
