
Aktorja Fatlume Bunjaku do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin European Shooting Stars 2026.
Ky lajm u bë i ditur sot nga faqja zyrtare e Instagramit të European Film Promotion. Çdo dhjetor publikohet lista e 10 aktorëve të përzgjedhur, që do të konkurrojnë për më të mirin e Europës në festivalin e filmit Berlinale. Festivali do të mbahet në fillim të shkurtit në Berlin dhe pritet me mjaft entuziazmë në Shqipëri, pasi ka mbi një dekadë që asnjë aktor shqiptar nuk është përzgjedhur vitet e fundit në këtë festival.

European Shooting Stars është një program që synon promovimin e aktorëve të rinj dhe premtues evropianë, duke u krijuar atyre mundësi konkrete për ndërtimin e një karriere ndërkombëtare në film dhe televizion. Çdo vit përzgjidhen rreth 10 aktorë nga 37 vende të Evropës, të cilët konsiderohen talente me potencial të madh artistik dhe ndërkombëtar.
Aktorët e përzgjedhur zakonisht janë emra që kanë spikatur në vendet e tyre, por ndodhen ende në fazat e para të karrierës ndërkombëtare. Në këtë rast, Fatlume Bunjaku është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, për rolin e saj në filmin “Hana”, me regji të Ujkan Hysajt.

Ky program ka shërbyer ndër vite si trampolinë për karrierën ndërkombëtare të shumë emrave të njohur, ndër ta: Daniel Craig, Maisie Williams, Carey Mulligan, Riz Ahmed, Alicia Vikander, George MacKay, etj.
Si pjesë e Festivalit të Filmit Berlinale, programi European Shooting Stars u ofron aktorëve katër ditë intensive me intervista, prezantime, punëtori profesionale dhe takime me emrat më të njohur të industrisë së filmit botëror. Programi kulmon me një parakalim në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Nga aktorët shqiptarë, deri më tani pjesë e këtij programi kanë qenë Nik Xhelilaj në vitin 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013, ndërsa përzgjedhja e Fatlume Bunjakut shënon një tjetër moment të rëndësishëm për përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.
Lista e plotë e EFP
Fatlume Bunjaku | Albania
Lucas Englander | Austria
Violet Braeckman | Belgium
Salif Cissé | France
Enno Trebs | Germany
Danielle Galligan | Ireland
Tecla Insolia | Italy
Joes Brauers | The Netherlands
Sofia Tjelta Sydness | Norëay
Cleo Diára | Portugal
-
-
Si t’i stiloni çizmet “Moon”? 5 ide veshjesh në modë nga malet në qytet!
15 Dhjetor, 11:30


