KreuCelebrity

“Pastori dhe motoristi brenda të njëjtit njeri”, Akil dhe Linda Pano, mes përulësisë dhe “rebelimit” të dashurisë!

Nga Brunilda Gorovelli 

Pastor Akil Pano dhe bashkëshortja e tij, Linda Pano, vijnë në një intervistë krejt ndryshe nga çfarë i kemi parë deri më tani. Në jetën e përditshme, ata janë një çift që ndajnë jo vetëm dashurinë dhe familjen, por edhe të njëjtin mision shpirtëror dhe pasion për motorin. Të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, ata rrëfejnë për revistën “Bordo” dimensionet e ndryshme që kanë në raport me jetën, besimin dhe dashurinë. Përmes kësaj interviste zbulojmë anën njerëzore të një çifti që jeton me besim, por dhe me pasionet tokësore, sikurse është vendosja e një kokoreje dhe nisja për udhëtime të shkurtra e të gjata me motor. Ata tregojnë se si dashuria mund të jetë një udhëtim me kthesa, se falja është mrekullia më e madhe në martesë, dhe se si, ndonjëherë, Zoti flet më qartë në kthesat e jetës sesa në qetësinë e kishës. Me humor, urtësi dhe përulësi, Akil dhe Linda Pano na kujtojnë se autenticiteti është forma më e bukur e besimit, qoftë në altar, në rrugë apo në shtëpi.  

Linda, Pastor, mirë se erdhët në “Bordo”!  

Pastor Akil Pano: Mirë se ju gjejmë. Kënaqësi e veçantë!  

Si ndjehet një Pastor kur i jep gaz motorit me 100 km në orë? 

Përpiqem që të mos shkoj te 100 km në orë që të jem brenda kufijve të lejuar shpejtësisë.  

Linda, po ju si pasagjere?  

Linda Pano: Free (e lirë)! Ndihem free (e lirë).  

A është motori një arratisje shpirtërore?  

Pastor Akil Pano: Deri diku mund të jetë një lloj valvule shkarkimi nga tensionet e ditës.  

Thoni se shpejtësia të bën të ndjesh gjallëri. Po pse duhet një motor që të kujtohesh se je gjallë, nëse ke frymën e shenjtë?  

Pastor Akil Pano: Mbase të kujtosh që ke frymën e shenjtë dhe je gjallë edhe ajo që të mban gjallë është diçka shumë më e fuqishme sesa adrenalina e motorit.  

Keni ndjesinë që Zoti ju flet më qartë në kthesat e rrugës apo në sallën e kishës?  

Pastor Akil Pano: Shpesh Zoti më ka folur më qartë në kthesat e jetës.  

Ju predikoni thjeshtësi, por në një botë që adhuron imazhin, a është e mundur të jesh ungjillor autentik pa u bërë influencer? 

Linda Pano: Patjetër që është e mundur dhe ti je influencer. Gjithsesi, nuk i shpëton dot kësaj gjëje.  

Të dy jeni në të njëjtin mision. A është ky një bekim apo lodhje e dyfishtë?  

Linda Pano: Është bekim edhe lodhje nganjëherë, sepse barrat ke nevojë t'i ndash me dikë, por kur ke të njëjtat barra është e vështirë. 

Pastor Akil Pano: Edhe këto barra, pra këto çështje të jetës së përditshme i sjell në shtëpi. Lehtësisht i sjell në shtëpi. Por që duke qenë se jemi dy, edhe lutja është më e fuqishme aty ku janë dy veta që mblidhen në emrin e Zotit.  

Në shtëpi kush është më pastor? Akili që predikon apo Linda që korrigjon? 

Pastor Akil Pano: Pastori që është pastor.  

A mund të ketë një dashuri të krishterë pa debate ungjillore? 

Linda Pano: Jo, sepse debatet janë pjesë e dashurisë.  

Cila është mrekullia më e madhe në martesën tuaj? Durimi, humori apo falja? 

Linda Pano: Falja.  

Pastor Akil Pano: Edhe durimi.  

Nëse dashuria është si një udhëtim me motor, kush i kontrollon frenat kur rruga është e rrëshqitshme?  

Pastor Akil Pano: Bashkëshortja gjithmonë.  

A ndiheni ndonjëherë si të huaj në këtë botë, duke mbrojtur vlera që shumica e njerëzve i quan të vjetra? 

Pastor Akil Pano: Gjithmonë, gjithmonë ndjehesh i huaj, por me shumë mundësi Zoti ka një qëllim për faktin që jemi në këtë botë.  

Linda Pano: Ndihesh i huaj dhe i dashur në të njëjtën kohë, sepse zakonisht njerëzit që luftojnë për kauza të mëdha kështu ndihen. 

Në çfarë momenti kuptuat se feja nuk është një arratisje nga realiteti, por përballja me realitetin?  

Pastor Akil Pano: Që në fillim, që në fillim kuptuam që është përballje edhe është angazhim, është përgjegjësi, është përkushtim dhe kështu duhet të jetë në fakt.  

A mund të jesh Pastor i suksesshëm nëse nuk të keqkupton askush?  

Pastor Akil Pano: Nuk besoj, sepse gjithnjë e vërteta do të sjellë një realitet në një botë konfliktesh, një realitet i cili hedh dritë, hedh dritë mes errësirës. Do të ketë reagime, do të ketë qejfmbetje, do të ketë një çarje, një thyerje në botën e mendimit, edhe në botën e veprimit shpeshherë.  

A është e vështirë të ndryshosh një shpirt dhe një mendje të ngurtë?  

Linda Pano: Është e pamundur. Një shpirt ose një mendje të ngurtë vetëm Zoti mund ta ndryshojë.  

Në rrugën e jetës. Çfarë është më e rëndësishme? Të mbërrish në destinacion apo të mbetesh i ndershëm gjatë udhëtimit?  

Pastor Akil Pano: Do ta them unë?

Linda Pano: Rrugëtimi për mua shumë i rëndësishëm rrugëtimi.  

Pastor Akil Pano: Pyetja e ka në thelb përgjigjen brenda. Në qoftë se je i ndershëm gjatë udhëtimit, absolutisht që do të mbërrish në destinacionin përfundimtar.  

A është më e lehtë të kesh një bashkëshort, një njeri që ndan të njëjtin besim apo më e vështirë? Sepse të njeh edhe shpirtërisht edhe praktikisht.  

Linda Pano: Është absolutisht më e lehtë sepse është gjuha e shpirtit, t'i kuptohesh me të jo vetëm thjesht me gjuhën që flet, por dhe me gjuhën e shpirtit.  

Në jetën tuaj të përditshme ku mbaron pastor Akili dhe ku fillon bashkëshort Akili?  

Pastor Akil Pano: Shpesh nuk e bëjmë dot dallimin. Unë nuk e bëj dot dallimin.  

Linda Pano: Janë të ndërthurura të dyja bashkë.  

Linda, ndodh ndonjëherë që të dëgjosh një predikim të tij dhe të mendosh në shtëpi nuk e thotë aq bukur sa në kishë?  

Linda Pano: Po patjetër. 

 

Cili është sekreti ungjillor për të mos u lodhur nga i njëjti person çdo ditë?  

Pastor Akil Pano: Përkushtimi, durimi, përgjegjësimarrja dhe rikthimi te momentet e para, momentet e para të romancës, dashurisë, momentet e para të rënies në dashuri më të njëjtin person. Sekreti është të biesh në dashuri me të njëjtin person çdo ditë.  

Në debate kush fal më shpejt?  

Pastor Akil Pano: Gjithmonë unë. Gjithmonë unë. Mos rënçi në hakmarrjen e femrës. Kujdes. 

Linda Pano: Mos e besoni! Mos e besoni. 

A keni ndonjë rregull që të mos flini të zemëruar?  

Linda Pano: Po, patjetër. Është në fakt urdhërim që dielli të mos perëndojë mbi zemërimin tuaj. Është urdhërim biblik.  

Pastor Akil Pano: Pra, ne jemi përpjekur që ta vëmë praktikë fjalën e Zotit në jetën tonë të përditshme. Nisur edhe nga intervista, edhe pyetjet e formuluara nga ju me shumë kujdes edhe detaje. Pjesë e përditshme, angazhimi i përditshëm i jetës për me falë, për me duru, për me dash, për me harru.  

Cili është ai që i prish rregullat dhe ai që është më strikt?  

Pastor Akil Pano: Ai që qëndron më shumë strikt jam unë, personi që prish më shumë rregullat është Linda, se është më shumë spontane nga natyra e shtëpisë. Është shumë spontane nga natyra.  

Linda Pano: Rebelja e shtëpisë.  

A është më e vështirë të udhëheqësh një kishë apo të ruash paqen me nuset dhe dhëndurët?

 Pastor Akil Pano: Unë do të thosha është më e vështirë të udhëheqësh veten. Në qoftë se udhëheq veten atëherë pjesa tjetër është më e lehtë, që do të thotë se zakonisht njerëzit drejtohen dhe udhëhiqen nga modeli, jo nga fjalët dhe në qoftë se veten je në gjendje ta drejtosh dhe ta udhëheqësh, në mënyrë që privatja jote të jetë e reflektuar te jeta publike, atëherë është shumë e thjeshtë që dhe në dimensionin publik vijimi të jetë i lehtë.  

Udhëtimi i parë që keni bërë së bashku me motor?  

Pastor Akil Pano: Udhëtimi i parë me motor ka qenë udhëtimi i shkurtër. Pra nga shtëpia, te pazari i ri deri te universiteti, se bashkëshortja ime gjithnjë ka qenë kundërshtare e zjarrtë e të pasurit motor nga unë. Madje edhe prindërit e mi, kur kam qenë i ri, kanë qenë kundërshtar ngaqë është ndërtuar ai stereotipizimi i idesë, kur je fëmijë i vetëm, djalë i vetëm, nuk duhet të kesh motor. Mirëpo u martuan kalamajtë, edhe unë mendova që motori do të pasuronte jetën time në dimensionin shoqëror social dhe për hir të së vërtetës e bëra fakt këtë punën e motorit. 

Linda Pano: Një nga rastet e rralla që thyen rregullat në shtëpi.  

Pastor Akil Pano: Djali rebel u bëra unë në shtëpi. Udhëtimi i parë që kemi patur bashkë me motor ka qenë në Belsh. Kemi shkuar në Belsh. Një udhëtim gjatë që unë kam bërë deri në Theth me motor me grupin e vespistëve në Tiranë. Linda nuk u bashkua se ju duk një udhëtim shumë i gjatë, por kemi udhëtime të tjera përpara.  

Keni menduar ndonjëherë të bëni një tur?  

Pastor Akil Pano: Gjithmonë unë mendoj që duhet të bëjmë një tur me motor. Pasi grupi i burrave dhe zonjave të tyre që udhëtojmë me motora, kemi një planifikim vjetor. Ata kanë qenë javën e kaluar në Greqi, disa muaj më para kanë qenë në Itali, udhëtojnë shpesh. Mirëpo ne kemi ëndrrat tona nën sirtar. Ende nuk kemi marrë hapin për shkak dhe të angazhimeve tona publike edhe përfshirjeve tona në agjendën e përditshmërisë së qytetit.  

Sa vite jeni me të njëjtin motor?  

Pastor Akil Pano: U bën disa vite në fakt, janë ndoshta gjashtë, shtatë vjet.  

Si e zbuluat pasionin për motorin?  

Pastor Akil Pano: Pasioni për motorin ka qenë një dëshirë në thelb, e cila kurrë nuk u realizua, nga babai im i ndjerë, i cili gjithnjë dëshironte në kohën e komunizmit që të kishte një motor dhe më duket ëndrrat e etërve kalojnë te bijtë të cilët, duan t'i përmbushin këto ëndrra jo vetëm thjesht për të përmbushur dëshirat e tyre, por edhe në një farë mënyre për të plotësuar ëndrrat e paplotësuara të baballarëve të tyre.  

Fakti që jeni dy figura publike të lidhura me besimin komentoheni më shumë për mirë apo keq?  

Linda Pano: Shiko, besimi është pjesë e jetës edhe normalisht shqiptarët besojnë te Zoti, kështu që patjetër që shihet si diçka pozitive.

Linda dhe Pastor, faleminderit që ishit me ne sot!  

Linda Pano: Faleminderit! 

Pastor Akil Pano: Faleminderit juve!