Nick Reiner, djali i aktorit dhe regjisorit të njohur Rob Reiner, është vënë në qendër të një ngjarjeje tronditëse, pasi autoritetet amerikane e akuzojnë për vrasjen e prindërve të tij. 32-vjeçari, i cili prej vitesh ka pasur probleme serioze me varësinë nga substancat narkotike, u arrestua pas gjetjes së trupave të pajetë të Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij, Michele Reiner, në banesën e tyre në Los Anxhelos.
Sipas burimeve pranë familjes, Nick përshkruhej si një person tejet i perkedhelur, me pritshmëri të larta dhe një perceptim jo realist për jetën. Një burim i afërt ka deklaruar për PEOPLE se ai nuk kishte dëshirë të punonte apo të ndërtonte një rrugë të qëndrueshme, por priste të merrte mbështetje të pakushtëzuar dhe të njëjtin trajtim si pjesa tjetër e familjes.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 dhjetor, kur Rob Reiner, 78 vjeç, dhe Michele Reiner, 70 vjeç, u gjetën pa shenja jete në shtëpinë e tyre. Nick u ndalua po atë ditë dhe përballet me dy akuza për vrasje të shkallës së parë. Ai u paraqit për herë të parë para gjykatës më 17 dhjetor, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për 7 janar.
Familjarë të afërt kanë bërë të ditur se çifti Reiner kishte përjetuar ndjenja të forta faji për pamundësinë për ta ndihmuar djalin e tyre të dilte nga rrethi vicioz i varësisë. Nick kishte hyrë në qendra rehabilitimi më shumë se 18 herë që në moshë shumë të re. Në vitin 2015, ai bashkëshkroi filmin Being Charlie, i frymëzuar nga përvojat e tij personale, projekt që u drejtua nga i ati, me shpresën se do ta ndihmonte të gjente një drejtim në jetë.
Në deklarata të mëhershme, Nick kishte folur hapur për periudhat e errëta që kishte kaluar dhe për peshën psikologjike të të qenit pjesë e një familjeje kaq të njohur në industrinë e filmit. Ndërkohë, fëmijët e tjerë të çiftit, Jake dhe Romy Reiner, kanë reaguar duke e quajtur humbjen e prindërve të tyre “të paimagjinueshme”, duke theksuar se ata kishin humbur jo vetëm prindërit, por edhe shokët më të ngushtë të jetës.

