Është ndarë nga jeta Ismet Bellova, një nga emrat më emblematikë të gazetarisë sportive shqiptare, mësues dhe komentator që për dekada me radhë i dha zë sportit shqiptar përmes mikrofonit.
I lindur në Tiranë më 1 qershor 1934, Ismet Bellova ishte një figurë e lidhur ngushtë me sportin që në moshë të re. Në vitin 1948 u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong, ndërsa më vonë përfundoi studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke ndërtuar një karrierë të përkushtuar në arsim dhe gazetari sportive.
Momenti që e futi përfundimisht emrin e tij në historinë e medias shqiptare ishte 29 nëntori i vitit 1950, kur komentoi për herë të parë një ndeshje futbolli në Radio Tirana: finalen e Kupës së Shqipërisë mes Dinamos dhe Partizanit, e fituar 1–0. Ky komentim shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë dhe të pandërprerë në transmetimet sportive.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport, edukim dhe media, Ismet Bellova u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash, mes të cilëve “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, si edhe çmime të rëndësishme profesionale si Mikrofoni i Artë, Çmimi i Karrierës në RTSH dhe Çmimi “Anton Mazreku”, të fituar dy herë.
Në vitin 2004, kontributi i tij u përjetësua edhe më tej me krijimin e Çmimit “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Në jetën personale, ai ishte bashkëshort i Bukuroshe Shtizës, Mjeshtre e Merituar e Sportit.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, në moshën 91-vjeçare, lë pas një trashëgimi të vyer për sportin dhe median shqiptare. Zëri i tij mbetet i paharruar për breza të tërë dëgjuesish dhe sportdashësish.
Homazhet në nder të tij do të mbahen nesër nga ora 10:00 deri në 12:00, në hollin e RTSH-së. Ndërkohë, KF Partizani ka shprehur ngushëllimet për humbjen e një prej figurave më të mëdha të mikrofonit sportiv shqiptar.
