Pritjes i erdhi fundi! Ka nisur zyrtarisht mbrëmja e parë e edicionit të pestë të “Big Brother VIP”. Një nga formatet televizive më të ndjekura, i cili premton emocione të forta, debate të zjarrta, rrëfime personale, skandale, incidente dhe histori dashurie. Në shtëpinë e “BBV” gjithçka është e mundur dhe surprizat sapo kanë filluar!
Big Brother VIP Albania 5 vijon të surprizojë publikun me hyrje të bujshme dhe profile të ndryshme që premtojnë dinamika të forta brenda shtëpisë. Tre emra të njohur iu bashkuan garës, secili me historinë, bindjet dhe ambiciet e tij.
Një nga hyrjet më energjike ishte ajo e Kristi Lamajt, këngëtar i muzikës popullore, i cili hyri në studio duke kënduar hitin e njohur “Dridhe moj bajame”, duke ndezur menjëherë atmosferën. Para se të kalonte pragun e shtëpisë, Kristi u shpreh me vetëbesim të plotë: “E di kur do të hyj dhe e di kur do të dal. Do të dal me fitore”. I rritur në Vlorë, ai ka qenë i lidhur me muzikën që në moshë të vogël, duke ndjekur studimet në shkollën artistike “Naim Frashëri” dhe duke u specializuar në këndim klasik. Paralelisht me artin, Kristi ka studiuar edhe juridik, duke synuar një balancë mes karrierës profesionale dhe pasionit muzikor.
Në shtëpinë e BBV 5 ka hyrë edhe Ilir Vrenozi, i njohur në rrjetet sociale si një nga opozitarët më aktivë dhe më të komentuar, veçanërisht në TikTok. Ai vjen me një histori të fortë personale, pasi ka humbur të dy prindërit në një periudhë të afërt dhe mban përgjegjësi të mëdha familjare, përfshirë kujdesin ndaj motrës së diagnostikuar me skizofreni. Gjatë qëndrimit të tij në BBV, për të do të kujdeset bashkëshortja e tij. Iliri nuk e fsheh admirimin për figurën e Sali Berishës, të cilin e sheh si simbol autoriteti dhe qartësie morale. Me humor, ai përmendi edhe ftesën e dikurshme për kafe nga Edi Rama, duke thënë në klipin hyrës: “Pres të më vijë për vizitë”. Fans i vjetër i Big Brother, Vrenozi shprehet se ka intuitë të fortë loje dhe se shpesh ka parashikuar fituesit e edicioneve të kaluara.
Spektri artistik i shtëpisë u pasurua edhe me hyrjen e Lore, këngëtare, tekstshkruese dhe kompozitore, e lindur në vitin 1996. Ajo u bë e njohur për publikun përmes pjesëmarrjes në “The Voice of Albania”, ku spikati me zërin e saj të veçantë nën mentorimin e Elton Dedës. Lore thekson se për të integriteti artistik është më i rëndësishëm se suksesi komercial, duke refuzuar kompromiset për klikime apo famë të shpejtë. Ajo frymëzohet nga artiste si Lana Del Rey dhe Billie Eilish, ka një lidhje shumë të fortë me vëllain dhe ndodhet në një marrëdhënie dashurie, të cilën zgjedh ta mbajë larg syrit publik.
Me këto hyrje të reja, Big Brother VIP Albania 5 po shfaqet gjithnjë e më shumë si një përzierje emocionesh, historish personale, bindjesh të forta dhe talenti, duke e bërë garën edhe më të paparashikueshme.
