Stenaldo Mëhilli është banori më i ri që i bashkohet shtëpisë së Big Brother, por jo pa simbolikë: ai ishte i pari që preku këtë shtëpi, shumë përpara se të hynte zyrtarisht në lojë.
28-vjeçari nga Fieri vjen me një histori jete të fortë dhe prekëse. I rritur nga nëna, pas humbjes tragjike të të atit kur ishte vetëm tre muajsh, Stenaldo u përball shumë herët me sfida që do ta shënjonin përjetë. Në moshën gjashtëmuajshe, si pasojë e një infeksioni të rëndë, ai humbi shikimin.
Megjithatë, Stenaldo nuk e ka lejuar kurrë që jeta ta vendosë në rolin e viktimës. Ai kërkon të vlerësohet për aftësitë, përpjekjet dhe arritjet e tij, jo për rrethanat apo kufizimet fizike.
Dashuria për muzikën e çoi në skenën e “The Voice”, ndërsa një tjetër pasion i madh i tij ka qenë gazetaria. Ka punuar në Top Albania Radio, një eksperiencë që e konsideron ndër më të bukurat e jetës së tij. Më pas, vendimi për të punuar në Gjermani e bëri edhe më të pavarur, duke mësuar të jetojë i vetëm, të gatuajë dhe të orientohet në një realitet të ri, shpeshherë jo pa vështirësi.
Rikthimi në Shqipëri erdhi për shkak të pamundësisë së nënës për t’u përshtatur me jetën jashtë vendit. Ndërkohë, ëndrra për Big Brother kishte vite që e shoqëronte.
“Hyj në Big Brother për të qenë i barabartë me të tjerët. Është mali më i lartë që ngjis në hapat e jetës sime,” është shprehur ai, duke theksuar se nuk kërkon trajtim të veçantë dhe se nuk do të viktimizohet në asnjë moment të lojës.
Stenaldo nuk e sheh veten si përfaqësues të një komuniteti, por dëshiron të jetë një shembull pozitiv, duke treguar se përmes përditshmërisë dhe arritjeve personale mund të thyhen paragjykimet dhe barrierat sociale.
