
Helidon Fino, një nga emrat e njohur të Teatrit Kombëtar, rrëfen emocionet, reflektimet dhe kujtimet e tij nga mbi tri dekada në skenë. Në një bisedë të ngrohtë, ai ndalet te fillimet, komeditë që e mbushin me adrenalinë, marrëdhëniet me kolegët dhe familjen, si dhe te raporti i tij i veçantë me artin, jetën dhe besimin.
Helidon, me shtatorin ka nisur sezoni i ri artistik. Si përkufizohet për ty kjo periudhë?
Shtatori për mua është një muaj shumë kompleks, dhe shpesh në të pandërgjegjshmen time më duket dhe si fillim viti, dhe kalendarik dua të them, dhe 1 janari më duket si vazhdim viti…, mesa duket është një perceptim i mbartur që nga fëmijëria, që më 1 shtator fillonin të gjitha.
A kanë një ndikim emocional shtatorët në jetën artistike të një aktori?
Tek unë ka një ndikim të veçantë emocional, duhet të jetë dhe shumë ‘natyror’, se është dhe muaji im i lindjes, prandaj edhe është shumë përfshirës jo vetëm në punën time si aktor, por dhe në shumë dinamika të mia të rëndësishme si individ.
“Kërkohet një tenor”, është një komedi. Si aktor, ti e ndjen që publiku pëlqen dhe e gjen më shumë veten në një komedi?
Ja p.sh., një fakt konkret për “shtatorin tim” që fillon dhe sezoni artistik i Teatrit Kombëtar me komedinë mjaft të stilizuar dhe komunikuese “Kërkohet një tenor”, ku jam edhe vetë aktor-‘tenor’, që rikthehet për vlerat e saj dhe kënaqësisë së publikut, dhe si vepër e repertorit. Publiku e gjen veten në çdo vepër skenike të mirërealizuar, dhe në veçanti komedia e mirëtrajtuar dhe realizuar, aktivizon një ‘adrenalinë argëtuese’, që e përfshin publikun më shpejt dhe më qetë drejt argëtimit, si një prirje dhe nevojë ndërkryesore të njeriut.
Helidon janë bërë mbi 30 vite karriere për ty. Në cilin moment do të ndaleshe për ta rrëfyer, veçuar nga rrugëtimi yt?
Në tërë këtë kohë, mbase çdo vit apo muaj ka të veçantën e vet për ta rrëfyer, por unë po zgjedh të ndalem në fillimet e mia të angazhimit në TK, si një nga “provimet” më të forta dhe të mëdha në jetën time. Ishte menjëherë pas mbarimit të shkollës “Akademisë së Arteve”…, isha i ri, vetëm, me ambicien, pasionin dhe ëndrrën në “luftën” për t’ju bashkuar trupës së aktorëve të jashtëzakonshëm të asokohe të TK.
Cili person të ka mbështetur që në fillimet e tua?
Menjëherë që pas “provimit” të parë në TK, u gjenda i mbështetur nga pothuajse të gjithë eksponentët artistikë të teatrit, me në krye udhëheqësin artistik G. Kame, por kryesore mbetet familja ime, prindërit e mi, që e kuptova pak më vonë sakrificën e tyre, në momentin e tyre më të vështirë ekonomik, që ma bën mua gati të pandjeshëm këtë situatë, që unë të “ngjitesha më lart” e të mos kthehesha “më poshtë”.

Në sheshxhirim dhe skenë, sa ndryshon Helidoni aktor? Ka pika ku takohen?
Ndodh shpesh që, kryesisht njerëz jo të profesionit, të thonë; “uau sa ndryshe ishe në këtë apo atë rol, në këtë shfaqje apo atë film”. Ky është misioni dhe sfida në këtë profesion, të jesh ndryshe jo Helidon..., por sigurisht që ka dhe pika takimi me personazhet, siç ata, janë dhe pjesë e realitetit.
Roli që të ka dhënë përjetime personale??
‘Pjesëza nga rolet’ do të thosha unë…, një rol i veçuar apo i plotë ‘Jo’.
Kritikat apo vlerësimet, cilat të bëjnë të ndjehesh “rehat”?
Vlerësimet janë të rëndësishme në këtë proces, të përkëdhelin, të motivojnë…, kritikat edhe më të rëndësishme, të ndërgjegjësojnë, të riaktivizojnë.
Laert Vasili miku yt, si është të jesh mik dhe koleg njëkohësisht? Keni ndjerë ndonjë rivalitet?
Me Laertin kemi njohje të hershme, dhe miqësia e ‘kolegllëku’, kanë ecur gjithmonë bashkë, shëndetshëm, si dhe me mjaft kolegë të tjerë. Rivaliteti duhet të jetë prezent gjithmonë besoj…, është një ‘gjymtyrë’ e profesionit.
Të pëlqeu loja e tij në “Big Brother”?
PO…besoj që vendosi një ‘standard njerëzor-kulturor të përgjegjshëm’.
A do të futeshe në një ‘reality show’? Përse po, apo përse jo?
Nuk kam akoma një ‘shtysë’ për një ‘sprovë’ të tillë.
Hebion & Nobel, përse kjo zgjedhje emrash për fëmijët e tu?
Nuk paskemi ‘gabuar’…u shkojnë dhe e meritojnë.

Shoqja, mikja, kritikja, suportuesja më e mirë mbetet gjithmonë Sonila. Sa i ndjek ajo aktivitetet dhe punët e tua?
Gjithmonë si shoqe, mike, kritike dhe suportuesja më e mirë.
“Dosjet” që prisni të hapni në të 70-at … Rrezik apo dosje lumturie? Çfarë gjejmë pas kopertinës?
Duke u përpjekur për të mos patur ‘kopertinë’, besoj që hapja e ashtuquajtur e “dosjeve” në të 70-tat, do të jetë një moment i magjishëm, JO si hapje e “kutisë së pandorës”.
Vendi yt i preferuar për pushime?
Mundësisht, poshtë një mali të thepisur, të gjendet një breg deti i thellë shumë blu.
Çfarë është për ty “sukses”?
Ai sukses që është i vërtetë.
Nëse nuk do të ishe aktor, do të shihnim si piktor, notar, arkitekt?
Unë pikturoj, dhe i vlerësoj pikturat e mia. Unë notoj dhe jo pak, kur mundem…, dhe hamendësoj, që ndryshe nga aktor, do të isha arkitekt.
Ndonjë ëndërr që ende s’e ke realizuar?
Sa herë që bëhet kjo pyetje, sikur shtohen ëndrrat e parealizuara. Kështu që, falënderoj JETËN për të gjitha realizimet.
Ke aktruar ndonjëherë në kushte jo normale (shëndetësore apo skenike)?
Disa herë dhe ju siguroj, ose sipas përvojës sime, në ato momente të vështira e të sikletshme, vjen në ndihmë një krijimtari befasuese. Që unë e kam quajtur “plani B”, ku instinkti natyror, tregon kokëfortë, rëndësinë e ekzistencës së tij.
A beson në Zot?
Të besosh nuk është fort e lehtë për njeriun…duhet kurajë, përgjegjshmëri, forcë, sinqeritet…të besosh, në çfarëdo mënyrë apo në çfarëdo gjëje, nuk është e zakonshme është një “dhuratë e madhe”… PO, bëj të gjitha përpjekjet për të besuar.
A lutesh? Për çfarë lutet një aktor? Po Helidoni?
Lutem shpesh… është një veprim mjaft i paqtë. Si Helidon dhe aktor, veç e veç dhe bashkë, lutem që të jemi të mirë dhe në gjendje aq të mirë, që të mos i prishim gjërat në vete. Zoti na ndihmoftë.
Nga Brunilda Gorovelli
-
Morena Taraku po martohet? Publikon foto me fustan nusërie!
21 Tetor, 10:02 -


