Ish-këngëtarja dhe personazhi i njohur i ekranit, Zhaku, ka folur pa dorashka për jetën e saj larg politikës dhe televizionit, duke rrëfyer me sinqeritet se tashmë është “në paqe me veten” dhe nuk i mungon as fama, as pushteti.
Në një intervistë të fundit, ajo është shprehur se e ka lënë pas politikën, pasi kuptoi që “njerëzit ankohen kot” dhe se në fakt janë të kënaqur me jetën që bëjnë.
“Politikën e lashë, se pashë që nuk ia vlente. Njerëzit ankohen shumë, por realisht janë shumë të kënaqur me situatën që kanë. Unë vetë jam shumë në rregull, jam një konteshë e madhe në shtëpinë time, rehat dhe pa probleme,” – u shpreh Zhaku me stilin e saj karakteristik.
Ajo shtoi me humor se nuk do ta shihte veten si ministre në qeveri, por ndoshta si këshilltare kreative, pasi “nuk di të bëjë llogari”.
“Nuk besoj se qeveria Rama do më propozonte ndonjëherë për ministre, sepse ata që më njohin e dinë që s’di të bëj llogari. Unë jetoj pa buxhet, nuk e di sa lek kam! Jam shumë e mirë me idetë, por jo me shifrat,” – tha ajo duke qeshur.
Zhaku rrëfeu gjithashtu se nuk ka projekte televizive për momentin, por është më e lumtur se kurrë, sepse jeta e saj nuk varet më nga ekrani.
“Nuk më varet më jeta nga puna. Jam e lumtur me punë, pa punë… i kemi gjërat terezi,” – përfundoi ajo me humorin e saj të njohur.
