Regjisori Joseph Kosinski kujtoi së fundmi xhirimet e filmit "F1" me Brad Pitt dhe zbuloi nje fakt trondites: Ylli i Hollywoodit mund të ishte vrarë në sheshxhirim! Kosinski i tha revistës People në një shfaqje speciale në Muzeun e Akademisë së Filmit në Los Angeles se ishte një nga ditët më të frikshme që kishte përjetuar ndonjëherë.
Pas shfaqjes së filmit, ai iu përgjigj pyetjeve me Pitt, producentin Jerry Bruckheimer, producentin dhe kampionin shtatë herë të botës në Formula 1, Lewis Hamilton, dhe aktorët Damson Idris dhe Sarah Niles.
"Pjesa më e frikshme ishte padyshim Las Vegasi. Ajo garë është natën, është ftohtë, gomat nuk kanë shumë kontroll dhe Brad as nuk pati mundësi ta praktikonte atë pistë para xhirimeve sepse ka vetëm ato tre ditë në vit", kujtoi regjisori.
Çmimi i Madh i Las Vegasit, një garë rruge, mbahet në Las Vegas dhe nuk ka hapësirë jashtë pistës siç kanë shumë pista të tjera. Si rezultat, pilotët shpesh e gjejnë veten afër, dhe ndonjëherë përplasen me, barrierat në pistë.

