KreuCelebrity

Nga një libër në një fejesë! Historia e pabesueshme e Dua Lipës dhe Callum Turner që duket si film romantik!

Nga një libër në një fejesë! Historia e pabesueshme e

Callum Turner ka treguar detaje të reja nga marrëdhënia e tij me Dua Lipën, duke zbuluar si u njohën dhe si po e mbajnë gjallë dashurinë përmes distancës.

Në një intervistë për The Sunday Times, aktori britanik 35-vjeçar tha se u takua për herë të parë me Dua-n gjatë një darke në Los Angeles, pak para ditëlindjes së një miku të përbashkët.

“U ulëm pranë njëri-tjetrit dhe kuptuam që po lexonim të njëjtin libër, Trust nga Hernán Díaz. I thashë që sapo kisha mbaruar kapitullin e parë dhe ajo më tha: ‘Edhe unë po ashtu.’ Atëherë i thashë: ‘Atëherë jemi në të njëjtën faqe,’” tregoi aktori me një buzëqeshje. “Në versionin filmik, do të shikoja nga qielli dhe do thosha: ‘E kuptova, po më jep shenja!’ Dhe ky ishte momenti i parë mes nesh.”

Ai shtoi se gjatë viteve kishin pasur disa “takime të humbura” përpara se të njiheshin zyrtarisht.

“Kishim dy, tre, katër, pesë raste ku mund të ishim takuar, përmes miqve të përbashkët apo në festa. Madje njëherë ajo shkoi në një festë dhe unë arrita disa minuta pasi ajo ishte larguar,” tha Turner. “Kur më në fund u takuam dhe ishim të dy beqarë, mendova se ajo ishte gruaja më e bukur në botë.”

Çifti nisi lidhjen në fillim të vitit 2024 dhe gjatë Krishtlindjeve, aktori i propozoi këngëtares me origjinë shqiptare me një unazë të personalizuar që e kishte krijuar me ndihmën e motrës së saj, Rina, dhe disa miqve të afërt. Në qershor, Dua konfirmoi fejesën në një intervistë për British Vogue, duke thënë:

“Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese.”

Ndërkohë, Callum ka folur edhe për mënyrën se si po menaxhojnë lidhjen në distancë, pasi ai po xhiron një film të ri në Nju Jork, ndërsa Dua ka përfunduar pjesën amerikane të turneut Radical Optimism dhe po përgatitet për Amerikën e Jugut.

“FaceTime është një gjë e mrekullueshme,” tha ai. “Rregulli ynë është që asnjëherë nuk ia vlen të mos takohesh — ky është slogani ynë. Nëse mund të shkosh për dy ditë, thjesht shko. Edhe nëse je i lodhur, s’ka problem, sepse do kalosh bukur dhe do krijosh kujtime të mira.”Turner tregoi se së fundmi kishte fluturuar për dy ditë në Boston për ta pare bukuroshen shqiptare.

“Isha i rraskapitur, por ia vlejti. Shkuam në një restorant të pabesueshëm, mendoj se quhej Neptune. Unë gjithmonë harroj emrat e vendeve, por ajo i mban mend të gjitha. Ishte një nga vendet më të mira ku kam ngrënë ndonjëherë, dhe isha me të, kështu që jam i lumtur që shkova.”

Çifti, që u shfaq për herë të parë bashkë në publik pas premierës së serialit Masters of the Air në janar 2024, kanë qenë prej asaj kohe në qendër të vëmendjes. Në maj 2025, ata debutuan në tapetin e kuq të Met Gala, duke e bërë lidhjen e tyre zyrtare për fansat.