Aktori i njohur Roerd Toçe ka folur ekskluzivisht për Revistën Bordo, në një intervistë duke u ndalur në realitetin e vështirë të profesionit të aktorit në Shqipëri dhe duke treguar hapur se sa është pagesën më të lartë që ka marrë gjatë karrierës së tij.
Në intervistën e tij, Roerd pranoi se aktorët në vend nuk marrin vlerësimin që meritojnë, pavarësisht lodhjes emocionale dhe fizike që kërkon ky profesion.
“Tani të them të drejtën nuk më kujtohet saktësisht, sepse ka një kalvar numër shfaqjesh që unë pagesë kam marrë një total në fund të gjithë shfaqjeve. Mund të ishte 1000 euro për një shfaqje në Itali,” rrëfen ai.
Aktori shtoi se për një të ri në moshën 24-25 vjeç, ajo ka qenë një shumë e kënaqshme, që i solli edhe motivim për të ecur përpara.
“Ishte një fitim i kënaqshëm për mua, një aktor i ri në atë moshë. Ishte goxha vrull për mua, nga ana personale dhe qejfi i momentit,” tregon Toçe.
Megjithatë, theksoi se profesioni i aktorit nuk është i vlerësuar, as në aspektin ekonomik, as në nivel institucional.
“Besoj se në botë thuhet që është profesioni i katërt më i vështirë pas kirurgut, në sensin e lodhjes fizike dhe emocionale që të jep. Disa e përshkruajnë si tre ndeshje futbolli të luajtura për dy orë e gjysmë,” u shpreh ai.
Intervista e plotë më poshtë:
Sipas tij, aktorët në Shqipëri shpesh luftojnë për mbijetesë dhe jo për një jetesë të qetë.
“Nuk është i vlerësuar, sepse një aktor duhet të bëjë disa role që të krijojë këtë që ne themi mbijetesë, jo jetesë. Jetesa është gradë shumë e lartë kur i themi ne,” përfundoi aktori.
Roerd Toçe aktualisht është angazhuar si në teatër ashtu edhe në projekte kinematografike, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj artit, pavarësisht sfidave që e shoqërojnë këtë profesion.
