
Botimet Pegi sjellin për lexuesin shqiptar një ribotim të veçantë të novelës së njohur “Letra e një të panjohure” nga Stefan Zweig, një nga kryeveprat më të ndjera të letërsisë së shekullit XX. E bazuar në përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës, kjo vepër vjen e redaktuar dhe e rimenduar, duke ruajtur thellësinë emocionale që e ka bërë të pavdekshme ndër vite.
Ngjarja nis në mënyrë enigmatike:
Ditën e ditëlindjes, një shkrimtar i njohur merr një letër të çuditshme, të gjatë por pa nënshkrim. Që në rreshtat e parë të letrës, një grua, e cila paraqitet sifqinja e tij e dikurshme, i rrëfen dashurinë e çmendur që ka ushqyer për të që në adoleshencë. Një dashuri të cilën ajo e ka mbajtur të fshehtë nga të gjithë. Por tani. një kob i tmerrshëm e ka përfshirë jetën e saj, ndaj ajo ka vendosur t'ia rrëfejë gjithë të vërtetën vetëm atij, atij që në padije të plotë ka qenë qendra e botës së saj.
Teksa përfshihemi në rrëfimin e një jete të tërë, përballemi me dhimbjen e një dashurie të pashpërblyer, me vetminë, por edhe me mungesën e ndjeshmërisë. Stefan Cvajg, portretist i jashtëzakonshëm i emocioneve, sjell imazhin e një dashurie absolute, të pakushtëzuar, të fshehtë dhe obsesive, në një vepër që me të drejtë renditet ndër klasikët e letërsisë së shekullit XX.
Kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar gjerësisht këtë vepër. The New York Times e cilëson si “prekëse dhe këndellëse”, ndërsa Frankfurter Allgemeine Zeitung vë në dukje mjeshtërinë e autorit në ndërtimin e një pasioni të pashpresë. Ndërkohë, Das Literatur Blog e përshkruan letrën si një deklaratë dashurie dëshpëruese, që njëkohësisht mbart edhe një akuzë të heshtur.
Stefan Zweig mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë europiane të gjysmës së parë të shekullit XX. Veprat e tij dallohen për ndjeshmëri të thellë, humanizëm dhe analizë të hollë të emocioneve njerëzore. Në këtë novelë, ai sjell një nga eksplorimet më të fuqishme të dashurisë së fshehtë dhe pasionit të pakthyeshëm.
Ky ribotim i “Letër nga një e panjohur” është një mundësi ideale për të rizbuluar një klasik që vazhdon të mbetet aktual dhe thellësisht prekës për çdo lexues.
