KreuCelebrity

Sfidat e Linda Kalemit

Sfidat e Linda Kalemit

Vite më parë e kujtoj që mëngjeset nisnin me ekranin e TVSH-së me një grua bionde dhe plot energji, aq sa të bënte të ndiqje ritmin e lëvizjeve të saj. Ishte Linda Kalemi dhe rubrika e saj “Palestra në kushtet e shtëpisë”, të cilën edhe kur e takon pas kaq vitesh duket po njësoj, madje edhe më e rafinuar në mënyrën si komunikon. Pas shumë vitesh karrierë mes artit, televizionit dhe botës së imazhit, Linda Kalemi rikthehet në Shqipëri me një kapitull të ri personal dhe profesional. Nga karriera e artë në Teatrin e Operës dhe Baletit, te sfidat dhe sukseset në Turqi, ku ndërtoi një emër në fushën e fitnesit, pilatesit dhe imazhit publik, Linda rrëfen një histori force, transformimi dhe ambicieje.

Linda, përfundimisht ke ardhur në Shqipëri apo jo?

Po u bë më shumë se një vit që kam ardhur dhe kam realizuar ëndrrën për të patur një qendër të pilatesit, sepse e solla 20 vjet para në televizionin shqiptar dhe desha ta realizoja dhe të kisha një studion time.

Le të kthehemi pak pas në kohë, si e kujton periudhën në Teatrin e Operës dhe Baletit?

Ishte një kohë shumë e bukur, shumë dinjitoze, sepse i gjithë arti ishte përqendruar vetëm te Teatri i Operës dhe Baletit. Aty artit akademik i jepej më tepër rëndësi në atë kohë, sepse arti kontemporan dhe modern ishin të ndaluar, madje dhe dënoheshin njerëzit. Janë dënuar shumë artistë, koreografë, krijues, këngëtarë, e valltarë. Ishim ne epiqendra e gjithë komunitetit shqiptar. Ishim ne që vlerësoheshim nga të gjitha artet e tjera se ishim të vetmit, por sot ndryshon sepse artit kontemporan i jepet më tepër prioritet, është zhvilluar tepër ky dhe kjo është diferenca. Ndërsa kushtet ishin vërtet shumë ndryshe, sepse atëherë nuk kishim kaq shumë komfort edhe pse Teatri i Operës është si institucion, por shërbimi, kaloriferët mungonin, dushet mungonin, shpesh, turnet e vështira me kostume në krah, rrugët e vështira, autobusët e vjetër e domethënë ishin shumë arsye që ne kemi bërë art në nivele shumë të larta, edhe pse nuk kishim kaq komfort sa sot. U morën tituj, u morën gjerdane të artë, u morën çmime të mëdha në ato kushte, edhe pse ishin shumë të vështira. Sot është tjetër art.

Më pas shkove në Turqi, si e mban mend këtë fazë, çfarë sfidash kishte dhe çfarë të mirash solli?

Ishte një rastësi. Në vitet '90 erdhi një kushëri i vjehrrit, erdhi dhe na premtoi se do të na merrte në Turqi, do të na ndihmonte për të gjetur jetën tonë më me cilësi dhe profesionet tona. Premtoi, por nuk u realizua. Por, ne me forcat tona arritëm që pas një viti të gjenim veten dhe pak nga pak kur mësuam turqishten arritëm në nivelet më të larta elitare të Turqisë.

Si ishte kalimi nga baleti tek aerobia dhe më pas te krijimi i imazhit për VIP-at?

Fillimisht shkova si koreografe dhe më kujtohet mora dy çmime, në kërcimin kontemporan dhe klasik. Pastaj vura re që aerobia dhe fitnesi ishin shumë të kohës. Vajta të dobësohem vetë dhe pashë që isha në nivele më të larta se instruktorët, sepse unë vij nga baleti që ka të bëjë lëvizja e cila është e pajisur me elegancën dhe estetikën. Kjo bëri që të kaloj në fushën e fitnesit të aerobisë në vitet ’95, ku u bëra përfaqësuese e Adidas. Gjatë kësaj kohe vija në Shqipëri dhe bëja programet e aerobisë në TVSH. Kushtet ishin të vështira sepse ishte koha e trazirave me plumba. Gjithsesi unë xhiroja dhe vazhdoja jetën time në Turqi. Kaluan mbi 10 vjet dhe fillova programin e pilatesit në Turqi që ishte shumë i suksesshëm sepse merresha me pilatesin kurativ. U trajnova për gjuhën e trupit dhe e pasurova anën teorike me praktikat dhe hapa një qendër në klubin Fenerbahçe, ku punoja dhe si trajnere.

Në televizionet shqiptare, a vë re gabime në mënyrën si vishen dhe stilin e tyre?

Ka vite që i ndjek dhe duket qartë që nuk ka informacion për etikën në profesion. Etikën në veshje, gjestet apo sjelljen në profesion. Kjo duket në të gjithë fushat, sepse kudo kërkohet njeri prezentabël, por gabimi është që mendojnë se prezentabël je vetëm nga floku, nga veshja apo nga markat që ke veshur. Në fakt siç e thashë më parë, të gjitha këto i mbart një trup. Cili është defekti i trupit tonë? Jo vetëm pesha, si eci, si qëndroj, si jap dorën, si ia aprovoj, si dëgjoj. Këto janë disa pika kyçe që kanë të bëjnë me rregullat etike. 

Ju kemi parë shpesh në panele televizive, a jeni ndier e kuptuar nga diskutimet?

Më ka ndodhur shpesh edhe që jam penguar në të folur ose jam ofenduar. Nuk ka një shkollë për gjuhën e trupit, një trajnim për deputetët, politikanët dhe të gjithë profesionet. Nuk kanë manual, që do të thotë rregullat kryesore të një profesioni që është ekrani apo politika. Unë për këtë u trajnova dhe kam 20 vjet që trajnoj edhe nivelet më të larta në Turqi, si deputetë dhe ministra. Etika në komunikim është filozofi më vete, kurse estetika nuk është, pasi ka të bëjë me gjuhën e trupit, me elegancën, finesën, edukatën, ABC-në e komunikimit.
A keni marrë një ftesë për t'u bërë pjesë e “Big Brother-it”, a ju pëlqen si ide?

Në vitin 2023, para se im shoq të ndërronte jetë kam marrë ftesë, por isha në Stamboll. E kam dëshirën, por kam edhe frikën që jam pak troç. Unë e them gjithçka si e mendoj dhe duhet të jem më e kontrolluar dhe nuk dua të lëndoj njeri. Bëj debate të forta, reagoj, jam impulsive dhe nuk e di se sa doja të isha. E di përse? Sepse doja të tregoja ato që i mungojnë Shqipërisë. Fitova s'fitova, nuk ka rëndësi.