
Jennifer Lopez ka tërhequr vëmendjen e mediave rozë pas paraqitjes së saj krah aktorit britanik Brett Goldstein në premierën e filmit të tyre më të ri, “Office Romance”.
Dyshja parakaloi së bashku në tapetin e kuq në Los Angeles dhe kimia mes tyre nuk kaloi pa u vënë re. Në disa nga momentet e fotografuara gjatë eventit, Brett shfaqet duke e mbajtur këngëtaren dhe aktoren pranë belit, ndërsa më pas Jennifer pozon e buzëqeshur e kapur për krahu me të.
Pamjet kanë ndezur menjëherë spekulimet në rrjetet sociale, ku fansat komentojnë se mes tyre duket të ketë më shumë sesa një raport profesional. Shumë prej tyre kanë vlerësuar afërsinë dhe energjinë që transmetonin së bashku në premierë.
“Office Romance”, filmi i ri i Netflix ku ata interpretojnë përkrah njëri-tjetrit, rrëfen historinë e dy kolegëve që përfshihen në një lidhje të fshehtë në vendin e punës.
Zërat për një romancë të mundshme vijnë vetëm disa muaj pasi Jennifer Lopez mbylli zyrtarisht divorcin me Ben Affleck në fillim të vitit 2025.
