Aktorja britanike e Skins dhe Game of Thrones, Hannah Murray, ka treguar se nuk pendohet që hoqi dorë nga aktrimi, duke e përshkruar largimin nga Hollywood-i si një “çlirim të madh emocional”.
Në një intervistë të gjatë për The Guardian, 36-vjeçarja rrëfeu se fama, presioni i industrisë dhe problemet e shëndetit mendor e çuan drejt një kulti dhe më pas në një episod psikotik që përfundoi me shtrim në spital.
“Falë Zotit që nuk aktroj më”, tha Murray, duke shtuar se vetëm mendimi që nuk është më aktore i sjell “një ndjesi të fortë gëzimi dhe lehtësimi”.
Murray u bë e njohur në moshën 17-vjeçare me rolin e Cassie në serialin “Skins”, ndërsa më vonë fitoi famë botërore si Gilly në “Game of Thrones”. Ajo tregoi se fama e hershme ishte “mbingarkuese”, ndërsa komentet online për trupin e saj dhe skenat e ekspozuara ndikuan rëndë në gjendjen e saj emocionale.

Aktorja zbuloi se për vite të tëra vuajti nga luhatje të forta emocionale dhe më vonë u diagnostikua me çrregullim bipolar. Sipas saj, diagnoza ishte një “lehtësim i madh”, sepse më në fund kuptoi arsyet e gjendjeve të saj psikologjike.

Në intervistë, Murray rrëfen se gjatë xhirimeve të filmit Detroit u përfshi gradualisht në një organizatë spirituale që premtonte “shërim energjik” dhe zhvillim personal. Ajo pagoi mijëra paund për kurse dhe rituale, derisa përjetoi një episod të rëndë psikotik dhe u shtrua për 28 ditë në një klinikë psikiatrike.
Përvoja është përshkruar në librin e saj autobiografik The Make-Believe: A Memoir of Magic and Madness, i cili publikohet më 23 qershor. Libri trajton jetën në Hollywood, presionin e famës, kultet wellness dhe betejën me shëndetin mendor.

“Sot jetoj një jetë të qetë, të thjeshtë dhe të qëndrueshme,” tha Murray. Ajo nuk konsumon alkool prej tre vitesh dhe fokusohet te rutina, ecjet, gatimi dhe shkrimi.
Aktorja theksoi se kultura moderne e mirëqënies shpesh “premton të shërojë problemet, por ndonjëherë i përkeqëson ato”.
