KreuCelebrity

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC

Nga Olsi Kolami

Të gjithë sot bëjnë muzikë, por të bësh muzikë të mirë është kaq e rrallë. “Sweet Cruelty” albumi i grupit “Rool” është pikërisht një zgjedhje e duhur. Rrallë ndodh të dëgjosh një vokal kaq unik sa i Gjergj Kaçinarit, i fuqishëm dhe me një çjerrje në fund të frazave që të emocionon. Nga kopertina e albumit, një trëndafil bardhë e zi në qelq, mendova se albumi do të ishte një shkëndijë e fortë rock-u dhe alternative, sigurisht aty do të gjeni një prekje të tillë, por siç Gjergji shpjegon aty dallon edhe baroku dhe jazz-i, funk dhe punk, heavy metal dhe pop. “Kjo sepse kurrë nuk nisem të shkruaj një material me idenë që do të jetë X apo Y rrymë, por është një proces shumë i sinqertë dhe çdo nuancë ekstra që rrjedh, mundohem ta lë të paprekur”. Sugjerimi im: harroni rrymat, pasi e veçanta është se te të nënta këngët arrin të ndjesh të gjitha ngjyrat e muzikës, të cilat ndizen nën efektin e instrumenteve që tingëllojnë të gjalla, ku të preferuarat e mia mes të gjitha janë “Love Was Never Meant to Kill” dhe “Back To Me”. Arsyeja? Sepse të gjitha janë në anglisht dhe flasin më shumë gjuhën universale, atë të tingullit dhe të emocionojnë. Albumin sigurisht që do ta gjeni në të gjitha platformat online, por risi është fakti se mund ta shijoni atë në vinil, një rikthim te gjurmët e vjetra të muzikës. Gjergj Kaçinari, artisti i talentuar rrëfen për “Bordo” gjithçka që duhet të dini për albumin, turet se ku pritet të udhëtojnë me grupin, e sigurisht në fund disa detaje për jetën e tij si baba!

Plot 1 vit nga lançimi i “Sweet Cruelty”, si do të përshkruaje ecurinë e albumit?

Ky album, specifikisht kënga “Sweet Cruelty” është esenciale për ROOL pasi ka qenë zanafilla e cila ndërtoi të gjithë konceptin vizual, estetik dhe tingëllor të grupit dhe sigurisht, albumit. Për fat të mirë, në çdo performancë live ku ne kemi interpretuar këngë nga albumi i dytë, njerëzit e kanë pëlqyer si edhe shoqëruar këngët bashkë me ne dhe kjo mendoj se është tregues kryesor i suksesit.

Pse zgjodhët që këngët të ishin në anglisht, apo kjo është gjuha e rrymës suaj muzikore?

Saktë. Si shumë instrumente që përshtaten më mirë në rryma të caktuara, edhe rock-u është i lidhur disi fort me anglishten. Shto këtu edhe ndërtimin tim dhe ushqimin muzikor vetëm në atë gjuhë, e bën procesin e të shkruarit e të kënduarit në anglisht shumë organik.

Albumi sjell muzikë rock apo ka një tjetër prekje mes asaj alternative që ju identifikon?

Çdo këngë në secilin album ka prekje nga rryma të tjera, pa u evidentuar – barok, klasik, jazz, funk, grunge, punk, heavy metal, country dhe pop, padiskutim. Kjo ndodh se kurrë nuk nisem të shkruaj një material me idenë që do të jetë X apo Y rrymë, por është një proces shumë i sinqertë dhe çdo nuancë ekstra që rrjedh, mundohem ta lë të paprekur.

Mendoja që brezi i 90-s kishte harruar vinilin, pse vendosët që albumi të ishte i tillë?

Unë vetë jam rritur me vinil, kaseta, më pas CD dhe le të themi aty kam mbetur. Fatmirësisht, ka nisur një valë apo trend vinilash prej pak vitesh dhe për mendimin tim kjo është diçka fantastike – në kulm të dekadencës muzikore ku po konsumohet gjithnjë e më keq, njerëzit i rikthehen një forme konsumi kaq të thjeshtë e të bukur. Shtytja më e madhe ka qenë pasi kemi marr mesazhe disa herë “po vinil, a keni?”.

Më befasoi cover-i me pamje klasike rock, metal & alternative, çfarë ju frymëzoi?

Aty është prekja e artë e Keisi Katia, art director e ROOL e cila merr, i jep formë dhe jetë çdo skice, ideje apo qoftë edhe përshkrimi që unë i bëj, se çfarë kërkoj. Në rastin e “Sweet Cruelty”, cover është një përmbledhje dhe përshtatje vizuale e gjithçka ndodh brenda në album – një trëndafil bardhë e zi qëndron i mbyllur në një kupolë xhami, i “ngecur” mes çeljes dhe shuarjes. Rreth tij rrotullohen dy unaza të kuqe, si satelit në një orbitë të përjetshme. Kontrasti mes bardhë e zisë dhe së kuqes transmeton melankoli, kujtime të humbura dhe vijën e hollë mes jetës dhe vdekjes. “Sweet Cruelty” përfaqëson emocionet që mbeten të ruajtura në kohë, duke vazhduar të rrotullohen edhe kur gjithçka tjetër është ndalur.

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC

Ky vit ka nisur me indoor winter tour me “Sweet Cruelty”, cila ka qenë filozofia e këtij tour-i?

Ky tour ishte një dëshirë dhe nevojë e jona për t'u afruar me publikun, tekstualisht. Kemi nisur me koncerte e skena të mëdha dhe na kishte munguar kjo hallkë, të ishim aq pranë njerëzve, të shkëmbenim energjinë e padyshim që ishte një eksperiencë fantastike.

Një fans i grupit tuaj ku mund t’ju gjejë të këndoni live, pra vendet ku dëgjohet muzika juaj?

Ne do të nisim një tour veror prej fundit të muajit maj, me Tiranën, kemi koncerte në Prizren, Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e më pas kthehemi nëpër Shqipëri, por çdo informacion mbi datat e koncerteve apo performancave do të afishohet në Instagramin tonë roolmusic dhe www.roolmusic.com

Sa rëndësi kanë për ju platformat digjitale dhe si ka ecur albumi në to?

Edhe pse kjo përbën formën kryesore të konsumimit të muzikës ditët e sotme, mua prapë nuk arrin t’më ndikojë apo t’më bindi se suksesi në këto platforma është më i rëndësishëm se sa 150, 500 apo 1500 njerëz të këndojnë këngët e tua bashkë me ty, live. Në platforma të tilla si Spotify, YouTube, etj., audienca më e madhe anon nga Europa Perëndimore (Portugali, Spanjë e deri në Itali) dhe ky është një tjetër sukses që konstatoj dhe është padyshim motivues dhe shpërblyes, disi.

Thuhet se grupet janë old fashion, po cila është arsyeja që “Rool” krijon dhe ka ndjekës besnikë?

Sinqeriteti. Çdokush e ndjen diçka të bërë mirë, pastër dhe me sinqeritet. Energjia nuk shkruhet apo lexohet, ajo transmetohet nëpërmjet çdo tingulli a fjale. Mendoj se arma jonë më e fortë është që të gjithë jemi 100% vetja jonë kur bëjmë atë gjë dhe njerëzit këtë e vlerësojnë.

Çfarë e mban të lidhur bandën, edhe grupet legjendare kanë patur atë që quhet shpirti i grupit?

Vizioni. Duke pasuar me konsistencë, punë, disiplinë, pasion, ego, etj.

Përtej muzikës, si po ecën prindërimi, si kanë qenë këto dy vite për ty dhe Tejdin?

Fishekzjarrë. Mendoj se s’ka fjalë më të përshtatshme (qesh). Dy vite shumë intensive, përgjegjësi të reja, prioritete e referenca të reja por shumë produktive, nga çdo aspekt, sfiduese padyshim por bukur, shumë bukur.

Si është jeta e re me Gregun, si do ta përshkruaje atë?

Gregu është predhë me lëndë djegëse. Është jashtëzakonisht aktiv dhe nuk ka asnjë moment pushim – kjo kërkon shumë energji, prezencë fizike dhe emocionale, por padiskutim, është “puna” më e bukur që kam patur e do të kem ndonjëherë.

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC

A ka nisur të thotë fjalët e para dhe a mund të na zbuloni cila ka qenë fjala e parë?

Në fakt jo, flet në gjuhën e vet, por as Google Translate nuk arrin ta zbërthejë.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde të natës tani që je zyrtarisht babi?

Unë kisha vite i shkëputur nga jeta e natës pasi edhe atij cikli i erdhi fundi, gjithashtu pas karantinës u riformatua çdo event i llojit tonë. Ka qenë një tranzicion gradual dhe unë vetë s’kam ndjerë asnjë ndryshim.

Që në fillim je identifikuar si një rocker, çfarë të ka mbajtur në këtë profil?

Nuk ka qenë diçka që e vendosa një ditë. Ky “impostim” apo profil është ndërtuar gradualisht me rritjen time, në formë krejt organike dhe kurrë s’ka qenë diçka e sforcuar.

A ka një fanbase fanatike për muzikën tuaj, apo ka nevojë të kultivohet dëgjuesi?

Fansa të kësaj muzike ka, madje ka më shumë se çdokush mund të mendojë por mungon prodhimi dhe produkti. Nëse këngëtarë të kësaj rryme do të krijonin pak më shpesh se 1 këngë në 10 vjet, mendoj se automatikisht veshi i publikut do të kultivohej edhe me këtë rrymë.

I lindur dhe rritur në një familje artistësh, cili ka qenë leksioni i parë që lidhej me muzikën?

Di që jam ulur vetë në piano e kam nisur të riprodhoj meloditë që dëgjoja, pa asnjë ide çfarë po bëja, ose çfarë po i bëja vetes…! Mbaj mend mësimet e para me zysh Likën, rreth 4-5 vjeç e më pas filloi saga e Liceut dhe Akademisë.

Nga mami Besa, dirigjente, cili është mësimi më i mirë që ke marrë?

Durimi, toleranca, tendenca pozitive në çdo situatë dhe se ndonjëherë s’duhen përjetuar e marrë gjërat më seriozisht se ç’duhet.

Babi të jep më shumë këshilla apo të kritikon, nga ekrani duket shumë i rreptë?

Kritika të veshura me mantel këshille. Ka qasje racionale në çdo situatë, por nga ana tjetër është shumë më “dorë-lëshuar” (figurativisht) se mami.

Si e sheh të ardhmen e grupit dhe çfarë planesh keni?

Kthehemi te ROOL… momentalisht jemi në përgatitje për tour veror dhe një plan 9-mujor ku duke nisur me “Sweet Cruelty”, çdo muaj do të lançojmë videoklipe të albumit të dytë.

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC

Gjergj Kaçinari: Born to make MUSIC