Këngëtarja e njohur kolumbiane Shakira ka folur hapur për ndarjen e saj nga ish-partneri dhe futbollisti Gerard Piqué, duke e përshkruar atë si një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.
Në një intervistë për The Times, Shakira u shpreh se ndarja në vitin 2022, pas 11 vitesh së bashku, ishte “momenti më i errët”, kur pa “shpërbërjen e familjes që kishte ëndërruar ta mbante përgjithmonë”. Çifti ka dy fëmijë, Milan (13) dhe Sasha (11).
Këngëtarja 49-vjeçare tha se, pavarësisht dhimbjes, kjo përvojë e ka ndihmuar të bëhet më e fortë dhe më e mençur. “Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë,” u shpreh ajo, duke shtuar se njerëzit zbulojnë forcën e tyre të brendshme përmes vështirësive.
Gjatë kësaj periudhe të vështirë, Shakira u përball edhe me një tjetër sfidë familjare, pasi babai i saj pësoi një rënie të rëndë shëndetësore.
Në intervistë, ajo tregoi edhe për mbështetjen që mori nga miqtë e saj të njohur, përfshirë këngëtarët Chris Martin dhe Adele. Chris Martin i kishte dërguar një mesazh simbolik me një vazo të thyer të riparuar me ar, duke i shkruar se pas kësaj periudhe ajo do të bëhej më e fortë.
Duke reflektuar mbi jetën, Shakira tha se përvoja e ka bërë të vlerësojë më shumë njerëzit dhe momentet e jetës, si të mira ashtu edhe të vështira. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për Piqué-n si baba i fëmijëve të saj, duke theksuar se ai e ka bërë nënën që është sot.
Sa i përket jetës personale, këngëtarja tha se aktualisht nuk ka hapësirë për një romancë të re, duke u fokusuar te fëmijët dhe karriera e saj. “Jam e dashuruar me karrierën time si kurrë më parë,” u shpreh ajo, duke shtuar se po e shijon edhe kohën vetëm.
