
OLLGA SHURAJA/ Përmeti dje nxori nga harresa dhe e përjetësoi në art aktoren e parë shqiptare dhe themeluesen e Teatrit Kombëtar. Ollga Shuraja, artiste, mësuese dhe aktiviste e shquar, tashmë ka bustin e saj në Panteonin e Artistëve Përmetarë. Kjo vepër modeste, por domethënëse, u realizua falë iniciativës së mësueses Diana Myrtolli Çobo, gazetarit Bledi Mane, skulptorit Alem Toska dhe sponsorizimit të familjeve Mane, Stefani, Shupuli, Çobo dhe Qamo.

Busti i aktores së parë shqiptare u përurua në odeonin e artistëve në kuadër të ditës së parë të festivalit ndërkombëtar “VjosArt”, në një atmosferë festive ku morën pjesë familjarë, artistë, dashamirës të kulturës dhe qytetarë të shumtë.

Monumenti, vepër e skulptorit Alem Toska, rikthen në kujtesën publike figurën e një prej grave më të rëndësishme të artit dhe emancipimit shqiptar. Gjatë ceremonisë, kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, vlerësoi figurën e Ollga Shurajës si simbol të kurajos dhe emancipimit femëror shqiptar.
“Përmeti sot nderon një grua që sfidoi kohën dhe paragjykimet, duke hapur rrugën për brezat e artisteve shqiptare. Ollga Shuraja mbetet një figurë frymëzuese jo vetëm për artin shqiptar, por edhe për rolin e grave në shoqëri”, u shpreh Alma Hoxha.
Ollga Shuraja do të kujtohet si aktore, mësuese dhe aktiviste kurajoze, një ndër gratë e para shqiptare që u rreshtua në mbrojtje të emancipimit femëror, që nga periudha e monarkisë së viteve ’30 e deri në fund të shekullit të kaluar.
Respekt dhe dashuri për zonjën e nderuar Ollga Shuraja!

