
Pas një kohe të gjatë larg intervistave dhe daljeve të shumta publike, Gjesti ka zgjedhur të ndajë një anë shumë personale të jetës së tij. I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, artisti foli hapur për humbjen e vëllait dhe ndikimin e madh që kjo tragjedi ka pasur tek ai.
Përballë moderatores Ori Nebijaj, ai tregoi se që prej aksidentit fatal ku humbi të vëllanë, jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht. Sipas tij, dhimbja e humbjes ka sjellë edhe përballjen me ankthin, një gjendje që vazhdon ta shoqërojë çdo ditë.
“Para njerëzve mundohem të dukem mirë dhe pozitiv, por brenda vetes jam shumë i rënduar. Humbja e vëllait më ka ndryshuar mënyrën si mendoj dhe si jetoj. E kupton sa e brishtë është jeta dhe se çdo moment mund të ndryshojë gjithçka,” u shpreh ai.
Këngëtari tha se periudha e vështirë e ka afruar më shumë me besimin dhe spiritualitetin, duke treguar se aty ka gjetur qetësinë dhe forcën për të vazhduar përpara.
Ai shtoi se familja është arsyeja kryesore pse vazhdon të luftojë çdo ditë, ndërsa tani synimi i tij më i madh është të bëhet një njeri më i mirë.“Gjithçka që bëj më kujton vëllanë tim.
Kemi qenë shumë të lidhur dhe mungesa e tij ndihet çdo ditë. Sot e shoh jetën ndryshe dhe dua të jetoj me më shumë kuptim,” tha artisti.
Në fund të intervistës, Gjesti foli edhe për pengjet që i kanë mbetur pas humbjes së tij më të madhe. Ai pranoi se do të donte të kishte kaluar më shumë kohë me të vëllanë dhe të kishte qenë më i duruar në raportin mes tyre.
“Ka gjëra që do të doja t’i kisha bërë ndryshe, por tani gjithçka ia lë Zotit,” përfundoi ai me emocione.
