KreuCelebrity

Me fytyrën e gjakosur Miss Venezuela akuzon stilistin për sulm, publikon video

Me fytyrën e gjakosur Miss Venezuela akuzon stilistin për sulm,

Një ngjarje e rëndë ka tronditur festivalin e filmit në Cannes 2026, pasi Miss Venezuela 2025, Andrea del Val, ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqet me lëndime në fytyrë dhe gjakderdhje, duke akuzuar drejtpërdrejt stilistin e saj, Giovanni Laguna, për sulm fizik.

Sipas mediave ndërkombëtare dhe raportimeve nga vendngjarja, incidenti dyshohet se ka ndodhur në një dhomë hoteli në Cannes, ku mes të dyve ka shpërthyer një debat që më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Në videon e publikuar, del Val shihet e lënduar ndërsa kamera tregon edhe gjendjen e rrëmujshme të dhomës, me mobilje dhe sende të shpërndara.

Në sfondin e videos shfaqet edhe Laguna, i cili ndodhej në dhomë në momentin e incidentit. Stafi i hotelit ka njoftuar policinë pasi dëgjoi zhurma dhe shenja të një përleshjeje, ndërsa forcat franceze të rendit ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Sipas raportimeve, Giovanni Laguna është marrë në pyetje nga policia franceze, por deri më tani nuk janë ngritur akuza zyrtare. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi shkaqet e konfliktit, i cili mbetet nën hetim.

Del Val ka marrë trajtim mjekësor në vendngjarje dhe gjendja e saj raportohet të jetë e qëndrueshme.

Giovanni Laguna është një figurë e njohur në botën e modës dhe spektaklit në Amerikën Latine, ku ka punuar si stilist dhe drejtor kreativ në disa evente të bukurisë.

Hetimet për incidentin po vazhdojnë.