Një tentativë grabitjeje është regjistruar në banesën e mbrojtësit francez Benjamin Pavard në Marsejë, mbrëmjen e së mërkurës, duke vënë në alarm autoritetet lokale dhe policinë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, pesë persona dyshohet se janë futur në ambientet e jashtme të shtëpisë së futbollistit, i cili aktualisht luan për Olympique de Marseille. Ngjarja është zbuluar nga bashkëshortja e tij, Kleofina Pnishi, e cila ka vënë re praninë e të dyshuarve në pronë dhe ka njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Pas sinjalizimit, personat e dyshuar janë larguar me shpejtësi me një automjet tip Mercedes, por policia ka reaguar menjëherë duke lokalizuar makinën brenda pak minutash. Brenda saj ndodheshin pesë persona, të cilët u arrestuan dhe u shoqëruan për marrje në pyetje.
Autoritetet franceze po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse të dyshuarit mund të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme. Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.

