Avokati i njohur shqiptar Saimir Vishaj ka bërë një nga rrëfimet më personale dhe emocionale të viteve të fundit, duke folur hapur për betejën me sëmundjen tumorale, divorcin dhe ndjenjën e vetmisë që, sipas tij, e ka shoqëruar në momentet më të vështira të jetës.
I ftuar në emisionin “Mes’Dritë” në Vizion Plus, Vishaj tregoi se periudha më e rëndë nuk ishte vetëm përballja me sëmundjen, por edhe largësia emocionale me njerëzit më të afërt.
“Familjarët në momente të caktuara kur t’i bie keq të gjithë të braktisin. Ndihesh vërtetë i vetmuar, nga familja, nga fëmijët nga të gjithë. Kjo ta shton më shumë rëndesën e sëmundjes. Ndërkohë mjekët më kanë porositur ta marr jetën me optimizën. Kam përballuar tre kimioterapi dhe tre gjendje kome, ku isha gati i vdekur. Por është ajo shprehja që jetëgjati nuk bëhet jatë shkurtër”, u shpreh ai.
Avokati foli edhe për marrëdhënien me fëmijët, të cilët jetojnë në SHBA, si dhe për ndarjen nga bashkëshortja pas një historie të gjatë së bashku.
“Me fëmijët komunikoj, por largësia është largësi. Djemtë kanë aktivitetet e tyre në SHBA, ndërsa bashkëshortja nuk e përballoi dot ikjen e tyre, por edhe ambienti në Shqipëri u bë mbytës. Ne e quajmë këtë ‘gjenocid’; nëse serbi i përzuri kosovarët me forcë, kjo qeveri po përdor mënyra psikologjike dhe ekonomike për t’i detyruar njerëzit të largohen. Po ikën truri i kombit. Nusja ime ishte mjeke kirurge me 40 vjet punë dhe nuk e gjeti dot veten këtu”, deklaroi Vishaj.

Ai zbuloi gjithashtu se pas publikimit të lajmit për divorcin nuk pati asnjë reagim nga ish-bashkëshortja, ndërsa theksoi se raporti mes tyre mbetet i ftohtë edhe sot.
“Me ish-bashkëshorten nuk kam komunikuar më që pas divorcit, ndonëse fëmijët kërkojnë që të bëhemi bashkë sërish. Edhe sot duan që unë t’u bashkohem në SHBA. Kjo ndarje nuk është një ndarje familjeje, i vetmi shkak u bë ambienti që na rrethon. Divorci është legalizuar në gjykatë, por është e trishtë pas 40 viteve njohje që nga bankat e shkollës”, tha ai.
