Autoritetet në Katalonja kanë arrestuar Jonathan Andic, djalin e biznesmenit të ndjerë dhe themeluesit të gjigantit të modës Mango, Isak Andic, në kuadër të një hetimi të rihapur për rrethanat e vdekjes së tij pranë Barcelonës.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Jonathan Andic u ndodh vetëm me të atin në momentin kur Isak Andic ra nga një lartësi në zonën e Montserratit, pranë shpellave Salnitre në Collbató. Fillimisht, autoritetet e kishin trajtuar ngjarjen si aksident, duke sugjeruar se biznesmeni mund të kishte rrëshqitur në një terren të rrezikshëm me shkëmbinj dhe gremina.
Hetimi u mbyll në janar 2025, pasi një gjykatë nuk gjeti prova për ndonjë veprim kriminal. Megjithatë, në tetor 2025 çështja u rihap nga policia rajonale katalanase së bashku me prokurorinë, pas dyshimeve mbi mospërputhje në dëshmitë e Jonathan Andic dhe elementë të tjerë të çështjes.
Mediat spanjolle kanë raportuar gjithashtu se autoritetet kanë sekuestruar telefonin e tij dhe po analizojnë komunikime dhe prova të tjera. Po ashtu, është përmendur edhe dëshmia e partneres së Isak Andic, Estefania Knuth, e cila ka folur për marrëdhënie të tensionuara mes babait dhe djalit, si dhe mosmarrëveshje brenda familjes për rolin në biznes dhe trashëgiminë.
Jonathan Andic, i cili ka mohuar çdo akuzë në lidhje me vdekjen e të atit, ka deklaruar se ngjarja ka qenë aksidentale. Ai ka punuar prej vitesh në kompaninë e familjes dhe ka mbajtur poste drejtuese në markën Mango, përfshirë edhe rolin e zëvendëspresidentit në bord.
Isak Andic, i lindur në Stamboll dhe i rritur në Barcelonë, e themeloi Mango-n në vitin 1984, duke e shndërruar atë në një nga grupet më të mëdha të modës në botë, me mijëra dyqane dhe prani në mbi 120 tregje.
Hetimi mbi rrethanat e vdekjes së tij mbetet ende sekret gjyqësor, ndërsa autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë detaje të plota mbi zhvillimet më të fundit të çështjes.
