KreuCelebrity

Patrick Bruel thyen heshtjen pas akuzave për sulm seksual: “Nuk kam detyruar kurrë asnjë grua”

Këngëtari dhe aktori francez Patrick Bruel ka reaguar publikisht pas akuzave të shumta për sulm seksual që po hetohen nga autoritetet franceze dhe belge.

 


Prokuroria e Parisit konfirmoi se artisti 67-vjeçar është nën hetim për të paktën katër raste të dyshuara të sulmit seksual në Francë, ndërsa një procedurë tjetër po zhvillohet edhe në Belgjikë pas një denoncimi të bërë në Bruksel gjatë muajit mars.

 


Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Bruel mohoi kategorikisht akuzat, duke theksuar se nuk ka ushtruar kurrë dhunë apo presion ndaj grave.

 


“Nuk kam detyruar kurrë një grua. Nëse kam lënduar dikë, më vjen sinqerisht keq”, u shpreh ai.

 

 

Patrick Bruel thyen heshtjen pas akuzave për sulm seksual: “Nuk kam
Artisti, i njohur për karrierën e tij të suksesshme në muzikë dhe kinema, deklaroi gjithashtu se nuk ka ndërmend të ndërpresë aktivitetin artistik dhe do të vazhdojë me koncertet e planifikuara në Francë, Zvicër, Belgjikë dhe Kanada.

Ndërkohë, organizata dhe grupe feministe kanë nisur një peticion ku kërkojnë anulimin e turneut të tij, pas publikimit të disa dëshmive në median franceze Mediapart. Gratë që kanë folur për median e akuzojnë Bruelin për ngacmim dhe sjellje të papërshtatshme seksuale.

Në reagimin e tij, Bruel tha se fama dhe diferenca në moshë mund të kenë ndikuar në mënyrën si janë perceptuar marrëdhëniet e tij personale, por mohoi çdo raport pa pëlqim.

“Do të jetë drejtësia ajo që do të sqarojë të vërtetën. Kam besim të plotë te sistemi gjyqësor dhe do të luftoj për të mbrojtur emrin tim”, deklaroi ai.

Avokati i artistit bëri të ditur se disa akuza të mëparshme ndaj klientit të tij janë mbyllur për mungesë provash, përfshirë një hetim të vitit 2019 lidhur me pretendime për ngacmim seksual nga dy terapiste masazhi.

Patrick Bruel është një nga emrat më të njohur të skenës franceze që përfshihet në hetime të lidhura me sulme seksuale, pas rasteve të tjera të bujshme që kanë tronditur industrinë e filmit dhe muzikës në Francë.