KreuCelebrity

Shëndrit Lumi: Djali që bën xixa

Xixa e BBVA 5

Nuk do ta besoni, por kur dëgjova për herë të parë fjalën ‘xixa’ nuk po e kuptoja që bëhej fjalë për Shëndritin, personazhi që me natyralitetin, energjinë pozitive dhe vërtetësinë e tij fitoi zemrat e publikut. E në fakt ai nuk bëri vetëm xixa, por ndriçoi si emri i tij, sepse reflektoi një sinqeritet të përkorë në të gjitha dimensionet e tij, qoftë në situata, por edhe në raportet që krijoi brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”. Shumëkush do të mendonte se Shëndrit Lumi, me eksperiencën në media do ta kishte të lehtë, e sidomos që hyri më pak ditë vonesë, por në fakt asnjë argument nuk ka vlerë, kur sheh rrugëtimin e tij: ai u zhvesh nga profesioni dhe tha ato që duhet të thoshte, Shëndriti si një djalosh i gjeneratës së tij në Kosovë dhe Shqipëri, madje guxoi edhe të tregonte ca sekrete shpirti që vetëm ai i dinte, duke dhënë mesazhe të forta kundër bullizimit. Madje shkoi më tej, duke rrëfyer momente kritike që i kishin trazuar adoleshencën, por me forcë dhe në heshtje ia kishte dalë. Tani që dritat e “Big Brother VIP” janë fikur, gazetari rrëfen emocionet me të cilat u përball gjatë kthimit në realitet, flet për miqtë e rinj që do t’i mbushin jetën, çastet e vështira që e kanë bërë më të fortë, si dhe projektet që e presin në të ardhmen. 

Xixa, si kanë qenë ditët e para jashtë “Big Brother”?

Kanë qenë një përzierje emocionesh, një lloj “zgjimi” nga një realitet paralel. Në fillim çdo gjë të duket më e shpejtë, më e zhurmshme, por edhe më e bukur sepse rikthehesh te njerëzit e tu. Ka pasur shumë dashuri dhe kjo më ka ndihmuar ta balancoj tranzicionin.

⁠Si e menaxhon famën një gazetar që është marrë gjithmonë me famën e të tjerëve?

Është interesante sepse e kam parë gjithmonë nga ana tjetër. Ndoshta kjo më ka ndihmuar të mos e idealizoj famën. E shoh si përgjegjësi, jo si privilegj. Në fund të ditës, jam i njëjti njeri vetëm që tani jam më i ekspozuar.

⁠Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga ajo që i ke dhënë publikut?

Sinqeriteti. Nuk kam hyrë me strategji të ndërtuara, por me veten time. Dhe kur njerëzit lidhen me ty për atë që je realisht, është ndjesia më e fortë.

⁠Nëse sheh Shëndritin para dhe pas BBV-së, çfarë ka ndryshuar te ju kjo eksperiencë?

Kam fituar më shumë qetësi brenda vetes. Kam mësuar të reagoj më pak dhe të kuptoj më shumë. Dhe ndoshta jam bërë më i vetëdijshëm për ndikimin që kanë fjalët dhe energjia që jep.

Kur e kthen kokën pas, cili ka qenë momenti më i vështirë emocionalisht, po më i bukuri?

Më i vështiri ka qenë kur ndihesh i keqkuptuar dhe nuk ke mundësi ta sqarosh veten menjëherë. Më i bukuri? Momentet kur ndjeja që publiku po më kuptonte, pa pasur nevojë të flisja shumë.

⁠Përmes rrugëtimit të jetës ke dhënë një mesazh kundër bullizimit, si e pritën familjarët?

E vërteta është që familja ime nuk ka qenë gjithmonë në dijeni të plotë për gjithçka që kam kaluar. Shpesh kam zgjedhur t’i mbaj për vete disa beteja, ndoshta për t’i mbrojtur ata. Por kur e panë rrugëtimin tim dhe mesazhin që po jepja, reagimi i tyre ishte më shumë një përzierje emocionesh – mes dhimbjes që nuk kishin ditur gjithçka dhe krenarisë që e kam kthyer atë në forcë.

Nëse do të kishe mundësinë të ktheheshe edhe një herë në lojë, çfarë do të bëje ndryshe?

Do të hyja me të njëjtin karakter, por me një tjetër menaxhim të situatave. Ndoshta do të isha më selektiv në energjinë që jap dhe në betejat që zgjedh. Jo çdo gjë ka nevojë për reagim, dhe kjo është diçka që e kupton më mirë kur e sheh veten nga jashtë. Do të ruaja më shumë balancën mes emocioneve dhe arsyes.

Cili është mësimi më i madh nga izolimi dhe bashkëjetesa me personazhe të ndryshëm?

Që jo të gjithë reagojnë si ti – dhe kjo është në rregull. Të kuptosh këtë, të bën më tolerant dhe më të fortë emocionalisht.

⁠Cilët janë miqtë që të dhuroi kjo eksperiencë, na thuaj nga një përcaktim për secilin?

Selin, qetësi dhe mirëkuptim në momente kur të duhet më shumë, një mike dhe një vend për çdo gjë. Gimbo, energji dhe spontanitet që të nxjerr nga ‘mood’-i i rënduar. Mateo, pastërti dhe edukatë, një nga njerëzit më korrekt që kam njohur brenda asaj shtëpie. Brikena, forcë dhe qëndrueshmëri, një karakter që nuk lëkundet lehtë. Greta, empati dhe ndjeshmëri, një energji shumë njerëzore e pastër në mes të një loje shpesh të ashpër.

⁠Në Kosovë apo Shqipëri e ke marrë impaktin më të madh dhe pse?

Do të thosha që dashuria ka qenë shumë e balancuar. Në Kosovë është më emocionale sepse është vendi im, ndërsa në Shqipëri është shumë e madhe për shkak të ekspozimit. Në fund, ndihem i përqafuar nga të dyja.

A do të riktheheni sërish në televizion me ndonjë projekt të ri, çfarë propozimesh keni marrë?

Po, ka pasur disa propozime interesante. Jam në një fazë ku po i analizoj me kujdes, sepse dua që hapi i radhës të jetë i menduar dhe me vlerë, jo thjesht i shpejtë.

⁠Çfarë të tha Fifi kur dole nga “Big Brother”?

"Ke qenë shumë i mirë!", ishte shumë e sinqertë mendoj, si dhe më dha mbështetje dhe disa këshilla që vijnë vetëm nga dikush që e ka kaluar vetë atë eksperiencë. Ishte një bisedë që më bëri mirë. 

⁠E di që jeni i lidhur me rrjetet sociale, si i menaxhon komentet negative?

Duke mos i marrë personale. Jo çdo koment është për ty si njeri, shpesh është reflektim i atij që e shkruan. Marr atë që më shërben dhe pjesën tjetër e lë të kalojë.

⁠Çfarë nuk di ende publiku për Shëndritin, që do të doje ta zbuloje sot?

Realisht nuk kam diçka për të zbuluar, por çka mund të them është që disa situata janë keqkuptuar, sidomos në raport me Mateon. Ka pasur momente që janë interpretuar si të qëllimshme apo “të fshehta”, por në të vërtetë kanë qenë pjesë e bisedave më të gjera, shpesh për persona të tjerë, që në rrjete janë shkëputur nga konteksti dhe janë lexuar ndryshe. Do të doja që publiku t’i shihte gjërat si një tërësi, jo si fragmente të izoluara. Sa i përket Mateos, për mua ai mbetet një nga njerëzit më të pastër dhe më të edukuar që ka pasur ai format, dhe raporti im me të nuk është ndërtuar mbi atë që është parë në disa sekonda video, por mbi një përvojë të plotë bashkëjetese.