
Bebe Rexha ka reaguar publikisht lidhur me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për t’i zhvilluar provimet universitare në gjuhën shqipe.
Artistja me origjinë shqiptare ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale, ku thekson rëndësinë e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kombëtar dhe mbështet kërkesat e studentëve për trajtim të barabartë.
“Shqipja është pjesë e historisë dhe identitetit tonë. Është ruajtur me shumë sakrifica ndër vite dhe duhet respektuar”, shprehet ajo ndër të tjera.
Reagimi i këngëtares vjen në prag të protestës së paralajmëruar për 18 maj, ku studentët shqiptarë do të kërkojnë sërish që provimi i jurisprudencës të lejohet të jepet në gjuhën shqipe.
Sipas tyre, edhe pse shqipja njihet si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kjo e drejtë nuk po zbatohet në praktikë. Ata theksojnë se kërkesa e tyre bazohet në të drejtat kushtetuese dhe ligjore që garantojnë përdorimin e gjuhës amtare në institucione.
Kjo nuk është protesta e parë e organizuar nga studentët shqiptarë, pasi një tubim i ngjashëm u mbajt edhe më 6 prill në Shkup.
