Këngëtarja Vanesa Sono është larguar përfundimisht nga Ferma VIP mbrëmjen e djeshme, pas televotimit të publikut të zhvilluar gjatë kësaj jave.
Në televotimin që nisi që prej ditës së hënë, publiku vendosi fillimisht të shpëtonte Sarën, ndërsa më pas edhe Blerinën. Në fund të garës mbetën Henri dhe Vanesa, ku kjo e fundit rezultoi më pak e votuara, duke i dhënë fund rrugëtimit të saj në fermë.
Largimi i Vanesës preku jo vetëm banorët e tjerë, por veçanërisht Indrin, me të cilin këngëtarja kishte krijuar një lidhje romantike gjatë qëndrimit në spektakël. Ai nuk arriti të mbante emocionet dhe u përlot pas eliminimit të saj.
Para fermerëve, Vanesa u shpreh mjaft e emocionuar:
“E kam pasur një ndjesi të çuditshme sot gjithë ditën. Faleminderit që këto ditë kam gjetur njerëz që më kanë dhënë dashuri e mirësi, kam gjetur dashurinë. Ju dua shumë”.
Ndërkohë, Indri reagoi shkurt pas largimit të saj:
“Jam keq. Nuk e prisja”.
Pas eliminimit, Vanesa Sono foli për herë të parë edhe nga studio e spektaklit, ku tregoi se eksperienca në Ferma VIP ishte krejt ndryshe nga sa e kishte imagjinuar.
“Nuk e kam pritur të kisha ato dinamika. Prisja që rrugëtimi do ishte i shkurtër dhe nuk isha e përgatitur për asnjë ndodhi aty brenda. Gjeta dashurinë time, Indrin. Kam bërë shoqëri me Sarën. Ndoshta kam gabuar në disa momente, por shpresoj që të kem përçuar esencën time”, u shpreh ajo.
