
Erkand Shabani, drejtori i kompanisë muzikore “Onima”, është ndaluar nga organet e rendit me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për veprën penale të “Ngacmimit”.
Konfirmimi është dhënë nga zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, e cila bëri me dije se ndaj personit me inicialet E.Sh. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin janë ende në zhvillim.
Sipas autoriteteve, Prokurori i Shtetit po vazhdon mbledhjen e provave dhe ndërmarrjen e veprimeve procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ka marrë vëmendje edhe për shkak të kallëzimit penal të bërë më herët nga artisti Gjesti, i cili kishte shprehur publikisht akuza dhe pakënaqësi ndaj kompanisë “Onima” dhe përfaqësuesve të saj. Këngëtari kishte deklaruar se synimi i tij ishte zgjidhja e çështjes në rrugë ligjore, si dhe rikthimi i të drejtave financiare që pretendon se i takojnë.
Për momentin, institucionet nuk kanë publikuar informacione të tjera, ndërsa çështja mbetet nën hetim.
