
Pas një historie të komplikuar dashurie që për vite me radhë bëri bujë në Hollywood, Emma Roberts dhe Evan Peters janë shfaqur sërish bashkë në një event publik.
Dy aktorët, të njohur për rolet e tyre në serialin “American Horror Story”, morën pjesë në prezantimin e sezonit të 13-të të produksionit të Ryan Murphy gjatë “Disney Advertising Upfront” në New York. Në panel u bashkuan edhe emra të tjerë të njohur të kastit si Sarah Paulson, Angela Bassett, Billie Lourd dhe Gabourey Sidibe.
Megjithatë, ndonëse ndodheshin në të njëjtën skenë, fansat vunë re se Roberts dhe Peters shmangën afërsinë me njëri-tjetrin gjatë eventit. Ky shënon edhe bashkëpunimin e tyre të parë profesional që prej vitit 2018.
Romanca mes tyre nisi në vitin 2012 gjatë xhirimeve të filmit “Adult World” dhe për shumë kohë u komentua gjerësisht nga mediat rozë. Marrëdhënia u përfshi në polemika në vitin 2013, kur Emma Roberts u arrestua pas një konflikti në një hotel në Montreal, ku Evan Peters raportohej se kishte pësuar dëmtime të lehta. Megjithatë, aktori nuk depozitoi akuza dhe çifti vijoi lidhjen edhe pas incidentit.
Në vitin 2014, Peters i propozoi për martesë aktores dhe ata vazhduan të shfaqeshin bashkë në disa sezone të serialit horror që i bëri edhe më të famshëm. Pas shumë ndarjesh dhe rikthimesh, dyshja i dha fund përfundimisht marrëdhënies në vitin 2019.
Aktualisht, Emma Roberts është e fejuar me aktorin Cody John, ndërsa Evan Peters vazhdon ta mbajë jetën personale larg syrit të publikut.
