
The Weeknd ka bërë të ditur zyrtarisht shtimin e datave të fundit të turneut të tij global “After Hours Til Dawn”, duke e çuar këtë projekt madhor drejt përfundimit me një seri koncertesh në disa prej metropoleve kryesore të Azisë.
Turja nis më 20 shtator në Belluna Dome të Tokios, për të vijuar më pas në Xhakarta, Singapor, Seul, Bangkok dhe Hong Kong. Finalja e turneut është planifikuar më 4 nëntor në Kuala Lumpur, në TM Stadium National, ku artisti pritet të sjellë një show përmbyllës të madh dhe simbolik.
Këto data shënojnë mbylljen e turneut “After Hours Til Dawn”, i cili gjatë dy viteve të fundit ka kaluar nëpër kontinente të ndryshme, duke thyer rekorde në shitje biletash dhe pjesëmarrje publiku. Në fazën finale, The Weeknd do të performojë edhe me Creepy Nuts, duo-ja e njohur japoneze e hip-hopit, duke i dhënë një dimension të veçantë shfaqjeve në Azi.
Përveç suksesit muzikor, artisti vijon angazhimin e tij humanitar përmes bashkëpunimit me Global Citizen, me fokus në mbështetjen e arsimit për fëmijët në mbarë botën, përmes Fondit FIFA Global Citizen Education Fund.
Një pjesë e të ardhurave nga biletat e koncertëve të vitit 2026 do të dedikohet për iniciativa sociale, përfshirë përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve në nevojë dhe luftën kundër krizës ushqimore globale. Deri tani, përmes Fondit XO dhe Global Citizen, The Weeknd ka kontribuar me mbi 8.5 milionë dollarë nga të ardhurat e turneut, duke e shtrirë ndikimin e tij përtej muzikës.
