Shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike M/V Hondius ka ngritur shqetësim ndërkombëtar, pasi deri tani janë konfirmuar gjashtë raste infektimi dhe tre viktima. Megjithatë, ekspertët theksojnë se virusi kishte qenë prezent në Shtetet e Bashkuara shumë kohë përpara se pasagjerët e anijes të rezultonin pozitivë.
Rasti më i njohur ishte ai i Betsy Arakawa, bashkëshortes së aktorit legjendar Gene Hackman, e cila humbi jetën në shkurt të vitit 2025 nga sindroma pulmonare e shkaktuar nga hantavirusi në shtëpinë e saj në Santa Fe, New Mexico.
Sipas autoriteteve amerikane, hetimet zbuluan gjurmë të shumta aktiviteti të brejtësve në pronë, përfshirë jashtëqitje dhe fole minjsh, çka besohet se shkaktoi infektimin fatal të 65-vjeçares. Ndërkohë, Gene Hackman ndërroi jetë disa ditë më vonë nga probleme të zemrës dhe komplikacione të lidhura me Alzheimerin.
Ndërsa rasti në SHBA lidhej me një variant amerikan të virusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi se shpërthimi në M/V Hondius është shkaktuar nga varianti “Andes”, i cili gjendet në Amerikën e Jugut dhe në raste të rralla mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Anija turistike u nis nga Ushuaia e Argjentinës më 1 prill dhe më pas u ankorua në Ishujt Kanarie pasi disa pasagjerë shfaqën simptoma të rënda. Ekspertët dyshojnë se infektimet fillestare mund të kenë ndodhur gjatë ekskursioneve në natyrë në Argjentinë para nisjes së udhëtimit.
17 shtetas amerikanë që ndodheshin në bord janë transportuar në Omaha, Nebraska, ku po mbahen nën monitorim në Njësinë Kombëtare të Karantinës pranë Qendrës Mjekësore të Universitetit të Nebraskës. Njëri prej tyre rezultoi pozitiv pa simptoma, ndërsa një tjetër paraqiti simptoma të lehta.
Autoritetet shëndetësore amerikane kanë sqaruar se rastet e hantavirusit në SHBA zakonisht nuk transmetohen mes njerëzve, por shkaktohen nga kontakti me urinën, pështymën ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se situata po monitorohet nga afër, por theksoi se “ky nuk është një tjetër COVID” dhe se rreziku për publikun mbetet i ulët.
