KreuCelebrity

Një FOTO e Dua Lipës mund t’i kushtojë Samsung 15 milionë dollarë!

Dua Lipa ka paditur gjigantin teknologjik Samsung, duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi pretendon se kompania përdori imazhin e saj pa leje për të promovuar televizorët në SHBA.

Sipas padisë së dorëzuar më 8 maj në Gjykatën Federale të Kalifornisë, Samsung akuzohet se ka përdorur një fotografi backstage të këngëtares në kutitë e televizorëve të shitur në tregun amerikan. Në dokumente thuhet se fotografia, e titulluar “Dua Lipa - Backstage at Austin City Limits, 2024”, është e regjistruar në Zyrën Amerikane të të Drejtave të Autorit.



Avokatët e artistes pretendojnë se përdorimi i fotos krijonte përshtypjen e rreme se Dua Lipa mbështeste ose kishte lidhje me produktin, duke ndikuar tek konsumatorët për ta blerë televizorin. Në padi përfshihen edhe postime të fansave në rrjetet sociale, ku disa prej tyre shkruanin se vendosën ta blinin produktin vetëm sepse në kuti shfaqej këngëtarja.

“Fytyra e zonjës Lipa u përdor në një fushatë masive marketingu pa dijeninë dhe pa miratimin e saj”, thuhet në padi. Sipas ekipit ligjor të artistes, ajo nuk do ta kishte lejuar kurrë përdorimin e imazhit të saj në këtë mënyrë.

Padia pretendon gjithashtu se Samsung vazhdoi ta përdorte fotografinë edhe pasi përfaqësuesit e Dua Lipës dërguan kërkesa zyrtare për ndalimin e përdorimit të saj në qershor 2025. Avokatët e artistes e kanë cilësuar reagimin e kompanisë si “mospërfillës dhe të ftohtë”.

Përveç dëmshpërblimit prej të paktën 15 milionë dollarësh, Dua Lipa kërkon edhe fitimet që lidhen me shitjen e televizorëve që mbanin imazhin e saj.