
Kompania “Artists Equity”, e krijuar nga Ben Affleck dhe Matt Damon, është vënë në qendër të një beteje ligjore pas publikimit të filmit “The Rip” në Netflix. Dy oficerë të policisë së Miami-Dade pretendojnë se projekti ka dëmtuar imazhin dhe karrierën e tyre profesionale.
Jonathan Santana dhe Jason Smith, të cilët morën pjesë në një operacion të madh antidrogë në Floridën Jugore në vitin 2016, thonë se filmi krijon përshtypjen sikur ata kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash. Operacioni në fjalë çoi në sekuestrimin e mbi 20 milionë dollarëve.
Sipas tyre, emri i filmit dhe mënyra si është trajtuar historia kanë bërë që publiku t’i shohë si pjesë të aktiviteteve kriminale. Santana deklaroi për mediat amerikane se pas daljes së filmit është përballur me akuza dhe komente të shumta nga persona që besojnë se ai ka përvetësuar para gjatë operacionit.
Edhe avokati i tyre, Ignacio Alvarez, kritikoi ashpër produksionin, duke thënë se filmi i paraqet klientët e tij si policë të korruptuar dhe deformon ngjarjet reale mbi të cilat është bazuar skenari.
Në dokumentet e padisë pretendohet gjithashtu se dy oficerët duhet të ishin përfshirë si këshilltarë gjatë realizimit të filmit, duke qenë se historia frymëzohet drejtpërdrejt nga operacioni ku ata morën pjesë.
“The Rip” u publikua në Netflix në muajin janar dhe shënon një tjetër projekt të përbashkët mes Affleck dhe Damon. Deri më tani, as aktorët dhe as kompania e tyre nuk kanë bërë një reagim publik lidhur me akuzat.
