
Franshiza ikonike “Fast & Furious” po zgjerohet edhe në televizion. Vin Diesel konfirmoi se një serial i ri është në zhvillim për platformën “Peacock”, duke sjellë universin e famshëm të garave dhe aksionit në ekranin e vogël.
Aktori e bëri njoftimin gjatë prezantimit të NBCUniversal në New York, ku tregoi se fansat prej kohësh kanë kërkuar më shumë histori rreth personazheve të sagës. Sipas tij, projekti do të ruajë frymën dhe lidhjen familjare që ka karakterizuar filmat ndër vite.
Seriali do të drejtohet nga Mike Daniels dhe Wolf Coleman, të cilët do të shërbejnë si bashkë-drejtues të projektit, producentë ekzekutivë dhe autorë të episodit pilot. Në ekipin e producentëve ekzekutivë përfshihet edhe vetë Vin Diesel përmes kompanisë One Race, së bashku me Sam Vincent, Neil Moritz, Pavun Shetty, Jeff Kirshenbaum dhe Chris Morgan. Prodhimi do të realizohet nga Universal Television.
Sipas “Variety”, aktualisht vetëm një serial ka marrë zyrtarisht miratimin për prodhim, ndërsa projekte të tjera të lidhura me universin “Fast & Furious” mbeten ende në zhvillim.
Saga ka rezultuar një sukses gjigant në kinematografi, me 11 filma të publikuar deri tani dhe mbi 7 miliardë dollarë fitime në arkat globale. Ndërkohë, filmi i ardhshëm “Fast Forever” pritet të dalë në vitin 2028.
Filmi i parë i serisë, i publikuar në vitin 2001 nga Universal Pictures, do të festojë 25-vjetorin e tij me një shfaqje speciale në mesnatë në Festivalin e Filmit në Kanë më 13 maj.
