
Cardi B dhe Stefon Diggs raportohet se kanë rifilluar kontaktet dhe po i afrohen sërish njëri-tjetrit, pasi më herët kishin vendosur të ndaheshin.
Sipas një burimi për Us Weekly, reperja e njohur po e rikthen gradualisht në jetën e saj ish-lojtarin e NFL-së, por pa u angazhuar menjëherë plotësisht.
“Ajo po e merr ngadalë. I ka hapur derën sërish, por ende nuk është 100% e sigurt në këtë rikthim,” ka thënë burimi, duke shtuar se Diggs po fiton sërish hapësirë në jetën e saj.
Raportohet gjithashtu se marrëdhënia mes tyre është më e qetë dhe më e qëndrueshme se më parë.
“Ata po komunikojnë më shpesh dhe tensionet që kishin janë ulur. Ajo ende ka ndjenja, gjë që e bën distancimin më të vështirë,” është shprehur një tjetër burim.
Rikthimi i tyre u vu re edhe publikisht, pasi çifti u shfaq së bashku në një event në Washington DC, ku u panë të afërt, duke shkëmbyer përqafime dhe momente të ngrohta. Në disa pamje të publikuara online, Diggs shihej duke e puthur në faqe Cardi B dhe duke qëndruar pranë saj gjatë gjithë mbrëmjes.
Më herët, fansat kishin vënë re se dyshja nuk ndiqnin më njëri-tjetrin në rrjetet sociale, menjëherë pas ndarjes së tyre para Super Bowl 2026. Sipas raportimeve, vendimi për t’u tërhequr fillimisht kishte ardhur nga Cardi B, e cila kishte dyshime për mungesë besimi.
“Ajo është shumë e prerë kur ndjen se besimi është thyer. U tërhoq për t’u fokusuar te fëmijët dhe karriera,” ka thënë një burim tjetër.
Cardi B dhe Stefon Diggs kanë një djalë së bashku, të lindur në nëntor 2025. Reperja është gjithashtu nënë e tre fëmijëve nga martesa e mëparshme me Offset, ndërsa Diggs ka pesë fëmijë nga marrëdhënie të ndryshme.
