
Projekti i ri kinematografik kushtuar jetës së Michael Jackson po rezulton një sukses i madh në tregjet ndërkombëtare, duke u pozicionuar si një nga biografitë më fitimprurëse në historinë e kinemasë.
Sipas të dhënave të raportuara nga Deadline, filmi ka gjeneruar rreth 577 milionë dollarë që nga premiera e tij më 24 prill. Vetëm në javën e tretë të shfaqjes, ai ka shtuar edhe 95 milionë dollarë të tjerë, duke arritur në 240.4 milionë në SHBA dhe mbi 336 milionë dollarë në tregjet jashtë Amerikës.
Filmi “Michael”, ku rolin kryesor e interpreton Jaafar Jackson, nipi i legjendës së muzikës, ka kaluar në renditje filmin “Elvis” (2022), i cili kishte përfunduar me rreth 288.7 milionë dollarë në total.
Në krye të klasifikimit të biografive muzikore mbetet “Bohemian Rhapsody”, me një fitim global prej rreth 910.8 milionë dollarësh.
Produksioni i drejtuar nga Antoine Fuqua ka nisur fuqishëm në kinema, me një hapje prej 97 milionë dollarësh në SHBA dhe mbi 120 milionë jashtë saj, duke u konsideruar një nga debutimet më të mëdha për këtë zhanër.
Filmi ka pasur performancë veçanërisht të fortë në Evropë dhe Amerikën e Jugut, duke kryesuar në tregje si Franca, Britania, Gjermania, Italia dhe Brazili.
Megjithatë, projekti nuk ka kaluar pa debat, pasi është kritikuar për mosadresimin e akuzave që kanë shoqëruar jetën e artistit. Kjo ka ndikuar në vlerësimet e kritikëve, ndërsa publiku ka reaguar më pozitivisht.
Me një buxhet rreth 200 milionë dollarë, “Michael” renditet ndër prodhimet më të shtrenjta të biografive muzikore. Pavarësisht polemikave, ai ka shënuar debutimin më të suksesshëm të Lionsgate në periudhën pas pandemisë dhe mbetet një nga titujt më të fortë të vitit në kinema.
Shfaqjet pritet të vazhdojnë edhe në tregje të tjera të mëdha, përfshirë Japoninë, ku parashikohet një tjetër rritje e ndjeshme e të ardhurave në box office.
