Aurora Rrusta dhe Kushtrim Kelani janë rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes, pasi së fundmi janë parë në momente mjaft të afërta që kanë ngritur dyshime për një romancë mes tyre.
Që gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP Kosova”, raporti i tyre ishte komentuar shpesh nga publiku, me shumë ndjekës që e shihnin afërsinë mes tyre si fillimin e një lidhjeje të mundshme. Megjithatë, brenda shtëpisë nuk pati asnjë hap konkret që do ta konfirmonte këtë raport.
Por duket se jashtë reality show-t gjërat kanë marrë një tjetër drejtim. Dyshja u pa mbrëmjen e kaluar në performancën e Clevio në një nga klubet më të frekuentuara të Prishtinës, ku sipas pamjeve të publikuara nga Prive By Liberta Spahiu, Aurora dhe Kushtrimi kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit gjatë gjithë natës.

Sipas dëshmitarëve të pranishëm, mes tyre nuk munguan as përqafimet dhe momentet romantike, ndërsa në disa çaste ata janë parë edhe duke shkëmbyer puthje në publik, duke shtuar akoma më shumë aludimet se tashmë raporti i tyre mund të ketë kaluar në një tjetër nivel.
Paraqitja e tyre së bashku ka ndezur menjëherë reagime në rrjetet sociale, ku fansat po komentojnë se dyshja duken shumë mirë pranë njëri-tjetrit dhe se kimia mes tyre është më e dukshme se kurrë.
Pas përfundimit të eksperiencës në “Big Brother VIP Kosova”, Kushtrimi ka vazhduar angazhimet e tij në muzikë me koncerte dhe mbrëmje live, ndërsa Aurora është fokusuar në projekte televizive dhe angazhime të reja në ekran.
