
Ngjarja e ndodhur gjatë sfidës së javës në “Ferma VIP” ka ndezur debate të shumta mes fermerëve. Pas përplasjes në lojë, Sara Karaj pësoi një dëmtim në kokë dhe përfundoi në spital për kontrolle, ndërsa situata vijon të komentohet brenda fermës.
Sfida, e fituar nga DJ Bujaka, u rikthye në vëmendje pasi banorët panë pamjet e incidentit dhe dhanë versionet e tyre mbi atë që ndodhi. Disa prej tyre ngritën dyshime se Henri mund të ketë ndikuar në situatë përmes mënyrës si kishte lidhur kubat gjatë lojës.
Vetë Henri mohoi çdo qëllim të keq, duke shpjeguar se nyja e bërë prej tij nuk lejonte lëvizje të lehtë dhe se gjithçka ndodhi në mënyrë aksidentale. Ai shtoi se Bujaka ishte i fokusuar vetëm te loja dhe jo te përplasja fizike.
Nga ana tjetër, DJ Bujaka u shpreh se situata është ekzagjeruar më shumë seç duhet dhe këmbënguli se nuk ka ushtruar forcë ndaj Sarës gjatë sfidës.
Ndërkohë, Sara tregoi zhgënjimin e saj për mungesën e mbështetjes nga disa prej fermerëve pas kthimit nga spitali. Ajo kritikoi sjelljen e Kostanës, Zhakut dhe Bujakës, duke thënë se nuk mori asnjë interesim për gjendjen e saj shëndetësore dhe se, sipas saj, pati tallje dhe mungesë empatie.
Kostana, në reagimin e saj, deklaroi se nga pamjet nuk u vërtetua asnjë akt dhune dhe se situata po përdoret për vëmendje. Ajo shtoi se është e lumtur që incidenti nuk pati pasoja më të rënda.Zhaku zgjodhi të mos e zgjasë diskutimin, duke e konsideruar çështjen të mbyllur, ndërsa Iliri mbajti qëndrimin se gjatë sfidës është përdorur forcë për të siguruar fitoren.
Edhe Visi komentoi situatën, duke thënë se po të ishte në vendin e Bujakës, do të kishte zgjedhur të tërhiqej për arsye morale.
