Historia e dashurisë mes Adionit dhe Olës duket se po bëhet gjithnjë e më serioze pas përfundimit të “Ferma VIP 3”. Çifti, i cili fitoi vëmendjen e publikut gjatë spektaklit, po vazhdon lidhjen edhe jashtë kamerave, duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të marrëdhënies së tyre.
Pas vizitës së Adionit në Malësinë e Madhe, ku ai takoi familjen e Olës dhe mori aprovimin e tyre, tashmë ka ardhur radha e një tjetër momenti domethënës për çiftin. Ola ka udhëtuar drejt Gjakovës për të njohur nga afër familjen e partnerit të saj.
Pamjet e ndara në rrjetet sociale tregojnë çiftin në një atmosferë të ngrohtë familjare pranë prindërve të Adionit. Të buzëqeshur dhe duke ngritur dolli së bashku, ata duket se kanë kaluar momente të veçanta, ndërsa mikpritja e familjes së Adionit ka qenë mjaft pozitive për Olën.

Këto lëvizje kanë shtuar edhe më shumë bindjen te ndjekësit se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë thjesht një romancë e krijuar brenda formatit televiziv. Përkundrazi, Adioni dhe Ola po tregojnë se janë të vendosur ta çojnë lidhjen në një tjetër nivel, larg kamerave dhe pranë familjeve të tyre.
