
Performanca shqiptare në Eurovision 2026 ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Associated Press e ka përfshirë këngën “Nân” të Alisit në listën e 10 performancave më të spikatura të këtij edicioni.
Në artikullin e saj, AP ndalet te atmosfera dramatike dhe elementi emocional që solli Shqipëria në skenë. Një nga momentet më të veçanta të përzgjedhura ishte paraqitja e Alisit përkrah aktores Raimonda Bulku, e cila në performancë simbolizonte figurën e nënës.
Sipas përshkrimit të medias amerikane, kënga nis me tone korale që krijojnë një ndjesi solemne dhe teatrale, ndërsa më pas Alis merr qendrën e skenës me interpretimin e tij intensiv. AP e krahason të gjithë performancën me kolonën zanore të një filmi të madh emocional, duke veçuar edhe veshjen e këngëtarit, e cila i ngjante një parzmoreje me zinxhirë.
Vëmendje të veçantë morën edhe pamjet e djemve të shfaqura në ekran gjatë performancës, një referencë simbolike për emigracionin dhe largimin e bijve nga familjet e tyre.
