
John Travolta bëri një paraqitje të rrallë publike në Festivalin e Filmit në Kanë, ku jo vetëm u nderua me një çmim special, por tërhoqi menjëherë vëmendjen edhe për transformimin e tij në pamje.
Aktori legjendar u shfaq elegant me një stil klasik, duke kombinuar një kostum bardh e zi, kravatë, syze me korniza të holla dhe një beretë të bardhë që i dha një paraqitje mjaft rinore.
Në tapetin e kuq ai shoqërohej nga vajza e tij, Ella Travolta, fryt i martesës me të ndjerën Kelly Preston. Pamja e aktorit 72-vjeçar u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë fansa u habitën me energjinë dhe freskinë që transmetonte.
Travolta ndodhet në Kanë për promovimin e projektit të tij më të ri filmik, “Propeller One-Way Night Coach”. Gjatë festivalit, ai u surprizua me Palmën e Artë të nderit, një nga vlerësimet më prestigjioze që jepet për kontributin e gjatë në kinematografi. Aktori u shfaq dukshëm i emocionuar gjatë momentit të ndarjes së çmimit.
