
Aktori i njohur turk Can Yaman do të jetë një nga emrat kryesorë të edicionit të tretë të “Cannolo Fest”, që do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2026 në Piana degli Albanesi, në Siçili.
Ylli i serialeve të suksesshme turke pritet të marrë çmimin “Hora Skanderberg”, një vlerësim që u dedikohet figurave të njohura të artit dhe kulturës që promovojnë traditat, identitetin dhe lidhjet mes popujve.
Vizita e tij ka marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të deklaratës së fundit të aktorit mbi origjinën e tij shqiptare. Në një intervistë për mediat italiane, Can Yaman tregoi se familja e tij ka rrënjë nga Kosova dhe Shqipëria.
“Nëna ime është shqiptare dhe gjyshërit e mi flisnin shqip mes tyre”, është shprehur ai, duke kujtuar historinë e familjes së tij që u vendos në Turqi vite më parë.
I lindur në Stamboll në vitin 1989, Yaman u bë i famshëm ndërkombëtarisht falë roleve në serialet “Erkenci Kuş” dhe “DayDreamer”, ndërsa së fundmi është në qendër të vëmendjes me projektin e ri “Sandokan”.
Lidhja e aktorit me Italinë është forcuar edhe më shumë pas suksesit të serialit “Viola come il mare”, i xhiruar në Palermo dhe zona të tjera të Siçilisë, ku ai fitoi një popullaritet të madh te publiku italian.
