
Alessandra Mussolini është shpallur fituese e edicionit të fundit të “Grande Fratello VIP”, versioni italian i “Celebrity Big Brother”.
Ish-politikania 63-vjeçare, e njohur edhe si mbesa e Benito Mussolinit, arriti të triumfojë mes 15 konkurrentëve pas një sezoni të gjatë me mbi 1,500 orë transmetim në ekranet italiane.
Gjatë finales së transmetuar në Canale 5, ajo u shfaq shumë emocionale dhe tha se e kishte përjetuar eksperiencën plotësisht pa u penduar për asgjë.
“E kam jetuar këtë aventurë duke qenë vetvetja në çdo moment,” u shpreh ajo pas shpalljes fituese.
Si çmim, Mussolini do të marrë 100 mijë euro, ndërsa ka bërë të ditur se gjysmën e shumës do ta dhurojë për kauza bamirësie.
Përpara rikthimit të saj në qendër të vëmendjes televizive, Alessandra ka pasur një karrierë të gjatë në politikë. Ajo ka qenë pjesë e Parlamentit Evropian dhe gjithashtu deputete në të dy dhomat e Parlamentit italian. Fillimisht u angazhua në parti të ekstremit të djathtë, ndërsa më vonë iu bashkua “Forza Italia” të Silvio Berlusconit. Aktualisht është pjesë e partisë populiste “Lega”.
Megjithatë, politika nuk ka qenë fusha e vetme e saj. Në vitet e hershme, ajo ka punuar si modele, aktore dhe këngëtare, duke qenë shpesh pjesë e televizionit italian.
Kjo nuk është hera e parë që Alessandra Mussolini merr pjesë në një format televiziv të njohur. Në vitin 2020 ajo ishte konkurrente në “Ballando con le stelle”, versioni italian i “Dancing with the Stars”, ku arriti deri në vendin e tretë.
Alessandra është vajza e Romano Mussolinit, djali më i vogël i Benito Mussolinit, dhe Maria Scicolone, motra e aktores legjendare Sophia Loren.
