Kim Scott, ish-bashkëshortja e reperit të njohur Eminem, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të fotos së saj më të fundit nga arrestimi.
Sipas raportimeve të Page Six, 51-vjeçarja është arrestuar javën e kaluar nën akuzën për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe është dërguar në burgun e Macomb County Jail në Mt. Clemens, Michigan.
Në foton e arrestimit, Kim Scott shfaqet me një pamje krejtësisht ndryshe nga vitet kur ishte në lidhje me Eminem. Ajo kishte prerë flokët shkurt në stil pixie dhe mbante një grim minimal, ndërsa buzëqeshte përpara kamerës.
Gjatë marrëdhënies së saj me reperin e famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Mathers, Kim njihej për flokët e gjatë biondë dhe stilin modern të kohës.


Arrestimi i fundit ndodhi vetëm tre ditë pasi ajo ishte paraqitur në gjykatë për akuza të ngjashme. Scott dyshohet se përplasi një automjet pranë Detroitit të mërkurën në mbrëmje.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe ajo është liruar tashmë nga paraburgimi.
Sipas mediave amerikane, gjatë atij incidenti ajo përplasi një makinë të parkuar ndërsa po dërgonte djalin e saj adoleshent, Parker, dhe miqtë e tij për shopping. Në vend që të ndalonte, Scott dyshohet se u kthye në shtëpi dhe më pas u përplas edhe me derën e garazhit të saj.
Fqinjët e saj deklaruan për TMZ se ajo u transportua në spital me lëndime të lehta. Në automjetin e saj, policia gjeti shishe që përmbanin pije alkoolike dhe pije freskuese, ndërsa kamerat e trupit të oficerëve treguan momentin kur ajo iu nënshtrua testit të alkoolit.
Dënimi për incidentin e muajit shkurt pritet të jepet në muajin qershor, ndërsa ende nuk dihet nëse akuzat e reja do të ndikojnë në vendimin e gjykatës.
Gjatë dy dekadave të fundit, Kim Scott është përballur disa herë me probleme ligjore, kryesisht të lidhura me abuzimin me substanca, drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit dhe shkelje të trafikut.
Kim Scott dhe Eminem u martuan për herë të parë në vitin 1999 dhe u divorcuan dy vite më vonë. Ata u ribashkuan dhe u martuan sërish në një ceremoni private në Michigan në janar të vitit 2006, por vetëm tre muaj më pas reperi i njohur kërkoi sërish divorc.
