Nga Doreada Mio
Unë kam një shoqe. Ajo nuk nxitohet kurrë. Ka ritmin e saj. Në fillim ne çuditeshim me të, na dukej pothuajse si jashtëtokësore.
Gatuan për vete, “me kordelë”, siç thotë ajo. Shëtit me qenin, dëgjon muzikë, mbjell lule për të cilat ankohet se iu thanë prapë. Nuk e ka kalendarin të mbushur me angazhime sociale. Pas pune rri në shtëpi gjatë, pa u mërzitur. Po, po në shtëpi. Në një kohë kur, nëse nuk ke pirë disa kafe me njerëz, nga njëri bar te tjetri dhe nuk ke postuar dhjetë story, duket sikur je në krizë.
Ajo nuk ka atë urgjencën që ne e kemi kthyer në mënyrë jetese. Në dukje, bie në kontrast me ritmin e shumicës, me boritë e makinave, me zhurmën dhe nxitimin e Tiranës, me jetën tonë ku socializimi është bërë pothuajse detyrim. Dhe kjo, në fillim, më bezdiste. E gjykoja në heshtje: si nuk mërzitet?
Më dukej si një tërheqje nga jeta. Por me kohën kuptova se ishte e kundërta: një mënyrë tjetër… Dhe aty më lindi një dyshim i thjeshtë: po sikur ajo të mos jetë ajo që “mbetet pas”, por ne që po humbasim diçka?
Sipas sociologëve, shoqëritë si e jona priren të përqafojnë ritmin si provë moderniteti. Ngadalësia shihet pothuajse si dështim. Takimet e shumta, lëvizja, dinamika dhe ekspozimi publik janë tregues të “arritjes”. Të jesh i zënë është bërë sinonim i të qenit i rëndësishëm. Media dhe rrjetet sociale e përforcojnë këtë: sa më shumë aktivitete, aq më shumë dukshmëri; sa më shumë dukshmëri, aq më lart ke arritur. Kjo krijon një cikël ku nxitimi nuk është më zgjedhje, por pritshmëri sociale.
Por kjo shpejtësi na largon nga përjetimi i momentit. E jetojmë ditën si një listë detyrimesh për t’u bërë, jo si një përvojë për t’u ndjerë. Dhe në fund mbetet një lodhje që nuk është vetëm fizike.
Në këtë lodhje, më vjen ndër mend Milan Kundera dhe romani i tij “Ngadalësia”: sa më shpejt jetojmë, aq më pak kujtojmë. Dhe sa më pak kujtojmë, aq më pak kemi jetuar në të vërtetë.
Por biologjia njerëzore nuk është ndërtuar për këtë intensitet të vazhdueshëm. Sistemi ynë nervor ka nevojë për pushim, për rikuperim. Studimet mbi stresin kronik tregojnë se nxitimi i vazhdueshëm lidhet me rritje të ankthit dhe çrregullimeve të gjumit. Me fjalë të tjera: shpejtësia ka një kosto.
Mikesha ime më thotë shpesh se jeton sipas parimit “carpe diem”. Dhe për një kohë të gjatë, kjo më dukej kontradiktore. Sepse në mendjen time, “carpe diem” ishte sinonim i lëvizjes, i përvojave të shumta, i një dite të mbushur deri në fund. Por, duke e parë atë, fillova ta kuptoj ndryshe.
Carl Honoré në In Praise of Slow e thotë thjesht: nuk është çështje të jetosh ngadalë ose shpejt, por të zgjedhësh ritmin tënd. Dhe kur nuk zgjedh më, kur vetëm vrapon, atëherë koha fillon të të zotërojë.
Në fund, pyetja nuk është nëse duhet të jetojmë shpejt apo ngadalë. Pyetja është: a po e kontrollojmë ne ritmin, apo ritmi po na kontrollon ne? Nëse përgjigjja anon nga e dyta, atëherë ndoshta është momenti për t’u ndalur pak. Sepse ndonjëherë, mënyra më e mirë për të ecur përpara është të ngadalësosh.
Shoh shoqen duke ndenjur në ballkonin e shtëpisë, pa nxitim. Dhe për një çast kuptoj se ndoshta jeta nuk është një garë për të arritur diku, por një mundësi për të mos humbur veten gjatë rrugës.
