
Khloe Kardashian dhe aktori Michael B. Jordan janë kthyer në qendër të vëmendjes pas disa imazheve virale që lanë të kuptohej se mes tyre kishte nisur një histori dashurie.
Fotot, të shpërndara me shpejtësi në rrjetet sociale, i tregonin dy yjet duke kaluar kohë së bashku në një atmosferë romantike, madje në disa prej tyre shfaqeshin edhe duke ecur dorë për dore. Kaq mjaftoi që interneti të shpërthente me aludime për një lidhje të re në Hollywood.
Por shumë përdorues nisën të dyshonin për autenticitetin e imazheve, duke vënë re elemente që sipas tyre tregonin se fotografitë ishin krijuar me inteligjencë artificiale.
“Këto foto duken të gjeneruara me AI,” komentoi një ndjekës, ndërsa të tjerë shprehën bindjen se pamjet nuk ishin reale.
Sipas burimeve pranë Khloe Kardashian, nuk ekziston asnjë romancë mes saj dhe Michael B. Jordan, ndërsa fotografitë që qarkulluan online rezultojnë të manipuluara.
Khloe prej kohësh ka zgjedhur ta mbajë jetën private larg syrit të publikut, sidomos pas marrëdhënieve të komentuara me Lamar Odom, Tristan Thompson dhe James Harden. Nga ana tjetër, edhe Michael B. Jordan ka qenë diskret për jetën sentimentale që pas ndarjes nga Lori Harvey.
Ndërkohë, fansat vazhdojnë të përflasin mundësinë e një afrimi mes Khloe dhe ish-partnerit të saj Tristan Thompson. Në fund të vitit të kaluar, rrjetet sociale u mbushën me spekulime pasi emri i basketbollistit u vu re në dekorimet festive familjare pranë Khloe dhe dy fëmijëve të tyre, True dhe Tatum.
Edhe pse historia e tyre është shoqëruar nga disa skandale tradhtie ndër vite, dyshja duket se ruan një marrëdhënie të mirë në rolin e prindërve.
