
Suzanne Perry, nëna e aktorit të ndjerë Matthew Perry, ka reaguar me tone të forta ndaj ish-asistentit të djalit të saj, Kenneth Iwamasa, gjatë procesit gjyqësor që lidhet me vdekjen e yllit të “Friends”.
Në deklaratën e saj të paraqitur në gjykatë, 82-vjeçarja shprehu zhgënjim dhe zemërim, duke pretenduar se Iwamasa u afrua shumë me familjen pas tragjedisë dhe u soll sikur kishte qenë personi që po përpiqej të shpëtonte Matthew-in.
Sipas mediave amerikane, Suzanne tregoi se ish-asistenti kërkoi madje të mbante fjalim në ceremoninë mortore të aktorit dhe më pas vijoi të kontaktonte familjarët me mesazhe emocionale, këngë dhe simbole që lidhnin kujtimet me Matthew Perry.
Ajo deklaroi se familja kishte besuar plotësisht tek ai, pasi roli i tij ishte të kujdesej për aktorin dhe ta mbante larg substancave të rrezikshme. Megjithatë, sipas akuzave të ngritura, Iwamasa dyshohet se ka qenë pjesë e personave që e furnizonin Perry-n me ketaminë.
Në dëshminë e saj, Suzanne përshkroi edhe dhimbjen e përjetuar pas humbjes së të birit, duke kujtuar momentet e rënda kur Matthew u gjet pa shenja jete në banesën e tij dhe më pas identifikimin në morg.
Aktori i njohur për rolin ikonik të Chandler Bing u nda nga jeta në tetor të vitit 2023 në Los Angeles. Raporti mjeko-ligjor përcaktoi se shkaku kryesor i vdekjes ishin efektet akute të ketaminës, të shoqëruara edhe nga faktorë të tjerë si problemet kardiake dhe mbytja aksidentale.
Hetimet kanë çuar në ngritjen e akuzave ndaj disa personave të përfshirë në shpërndarjen e substancës, ndërsa Kenneth Iwamasa pritet të dënohet më 27 maj.
