KreuCelebrity

Miley Cyrus nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame dhe i kushton fjalë prekëse familjes

Më 22 maj, këngëtarja dhe aktorja e njohur Miley Cyrus u nderua me një yll në Hollywood Walk of Fame, në një ceremoni të mbushur me emocione dhe praninë e shumë emrave të njohur nga industria e muzikës dhe filmit.

Në këtë moment të rëndësishëm, Miley u shoqërua nga nëna e saj Tish Cyrus, motra Brandi Cyrus dhe i fejuari Maxx Morando. Në publik ishin gjithashtu të pranishëm figura të njohura si Anya Taylor-Joy dhe stilistja Donatella Versace.

Edhe pse babai i saj, Billy Ray Cyrus, mungoi në ceremoni, Miley i kushtoi atij disa fjalë gjatë fjalimit të saj. Ajo rikujtoi një shprehje që ai shpesh përdorte: se “Babi im thoshte se një rrokaqiell fillon me një çekiç plastik, ashtu siç ndodh edhe me një yll në Walk of Fame, meqë ra fjala," duke e lidhur këtë metaforë me rrugëtimin e saj artistik dhe këmbënguljen në karrierë.

“Për mua ajo që e bën këtë yll kaq të veçantë është se është një akumulim përkushtimi,” u shpreh ajo, duke theksuar se suksesi i saj është rezultat i punës së vazhdueshme dhe mbështetjes së njerëzve të saj më të afërt.

Miley foli gjithashtu për marrëdhëniet familjare, duke pranuar se në vitet e fundit kishte pasur distancim mes saj dhe disa anëtarëve të familjes, përfshirë babain e saj. Megjithatë, ajo tha se kishte bërë një “hap pajtimi” dhe kishte ndihmuar në ribashkimin e familjes gjatë vitit të kaluar.

Në fjalimin e saj emocional, këngëtarja falënderoi familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata e kanë ndihmuar jo vetëm në sukseset e saj, por edhe në përballjen me frikërat personale.

Ajo nuk la pa përmendur as fansat e saj besnikë, të cilët i quajti “yjet që bëjnë ëndrrën time realitet çdo ditë”, duke shprehur shpresën se muzika e saj do të vazhdojë të ndikojë brezat e ardhshëm.

Ceremonia shënoi një moment të rëndësishëm në karrierën e Miley-t, e cila është gjithashtu fituese e tre çmimeve Grammy dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më me ndikim në muzikën pop bashkëkohore.