Pas një kohe të gjatë larg vëmendjes publike, Gjesti është rikthyer në ekran me një intervistë në emisionin Goca dhe Gra, ku ka folur hapur për jetën e tij personale, periudhat e vështira dhe projektet e reja në muzikë.
Gjatë intervistës, ai ka prekur një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij, humbjen e vëllait, duke treguar se ajo periudhë e ka lënë me pasoja të forta emocionale. Sipas tij, muzika ka qenë mbështetja kryesore që e ka ndihmuar të rikthehet gradualisht në normalitet dhe të gjejë forcën për të vazhduar përpara.
Aktualisht, Gjesti po promovon projektin e ri muzikor Sir, të realizuar në bashkëpunim me Gimbo, ndërsa paralelisht po punon edhe për këngë të tjera të reja.
Një nga lajmet më të spikatura që ai ndau gjatë intervistës ishte edhe bashkëpunimi i shumëpritur me Dhurata Dora. Ai u shpreh se projekti është drejt finalizimit dhe pritet të publikohet së shpejti, duke premtuar një stil ndryshe për publikun.
Në fund, Gjesti foli me vlerësim për Dhurata Dorën, duke e cilësuar si një artiste dhe person shumë pozitiv. Ky bashkëpunim ishte përfolur edhe më herët, ndërsa tani duket se po merr formë konkrete dhe pritet me interes nga fansat.
